Protesta shpërthyen në Austin të Teksasit pasi një agjent i Shërbimit amerikan të Emigracionit dhe Doganave (ICE) qëlloi dhe plagosi një shofer venezuelas të DoorDash gjatë një operacioni të dielën.
Rrethanat e sakta të incidentit ende nuk janë bërë të qarta, ndërsa autoritetet lokale kërkojnë një hetim të pavarur, transmeton Telegrafi.
I plagosuri është Wilber Rafael Garces Perez, 28 vjeç, shtetas venezuelas që punonte si shpërndarës për DoorDash. Ai u qëllua në pjesën e sipërme të trupit dhe u dërgua në spital, sipas avokates së tij.
Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS) konfirmoi se po hetonte të shtënat ndaj një personi në Austin, duke deklaruar se ai kishte hyrë ilegalisht në SHBA.
Megjithatë, ende nuk dihet se çfarë e çoi konkretisht në përdorimin e armës dhe nëse pati ndonjë përplasje para të shtënave.
Avokatja Kate Lincoln-Goldfinch tha për mediat amerikane se Garces Perez telefonoi bashkëshorten nga spitali, ndërsa “bërtiste nga dhimbjet”. Sipas saj, ai ndodhej në paraburgim të ICE.
Pas incidentit, dhjetëra protestues u mblodhën në Austin, disa prej tyre duke mbajtur flamuj të Meksikës dhe Guatemalës dhe pankarta që kërkonin largimin e ICE nga qyteti.
Pamjet televizive treguan protestuesit përballë një Toyota Corolla me dëmtime në derën e pasagjerit, ndërsa agjentë të ICE ndodheshin pranë automjetit.
Kryebashkiaku i Austin, Kirk Watson, tha se banorët kanë të drejtë të dinë se çfarë ka ndodhur dhe të ndihen të sigurt në qytetin e tyre.
“Ata duhet ta dinë të vërtetën”, deklaroi Watson, duke shtuar se qyteti do të përfshihet edhe në hetimin e incidentit.
Sipas tij, aktivitetet e ICE në Austin janë shtuar ndjeshëm gjatë javëve të fundit.
Incidenti vjen në një periudhë kur administrata e presidentit Donald Trump ka intensifikuar arrestimet dhe operacionet kundër emigracionit, duke shkaktuar protesta dhe përplasje në disa qytete amerikane.