Presioni politik ndaj sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, po shtohet ndjeshëm. Sipas Axios, një grup republikanësh në Dhomën e Përfaqësuesve mund t’u bashkohet demokratëve për të mbështetur nisjen e procedurave për shkarkimin e tij, për shkak të mënyrës se si po drejtohet lufta kundër Iranit.
Në një moment kur administrata Trump po përballet me pasojat e humbjes në zgjedhjet e 3 nëntorit, Hegseth ka zgjedhur t’u dërgojë një mesazh vendosmërie forcave të armatosura amerikane, duke u kërkuar ushtarëve të mos ndikohen nga debatet politike.
“Mos hezitoni. Injoroni zhurmën. Mos u tërhiqni kurrë. E gjithë kjo është politikë. Ju bëni gjëra reale. Prandaj vazhdoni misionin tuaj”, deklaroi ai në një video të publikuar në rrjetet sociale.
Në videon gati gjashtëminutëshe, Hegseth mbrojti ndërhyrjen ushtarake në Iran, duke e cilësuar atë një përpjekje historike për të penguar Teheranin të sigurojë armë bërthamore. Ai theksoi se SHBA-të janë më të vendosura se kurrë për të përfunduar atë që kanë nisur dhe kërkoi nga Kongresi miratimin e të paktën 350 miliardë dollarëve financime shtesë për ushtrinë.
Nisma për shkarkimin, edhe republikanët në diskutim
Sipas Axios, republikani Thomas Massie po përgatitet të rikthejë në Dhomën e Përfaqësuesve një rezolutë për nisjen e procedurave ndaj Hegseth, me synimin që ajo të hidhet në votim gjatë kësaj jave.
Ai e akuzon sekretarin e Mbrojtjes se ka vijuar në mënyrë të paligjshme operacionet ushtarake kundër Iranit, duke anashkaluar kompetencat kushtetuese të Kongresit dhe ligjin amerikan për kompetencat e luftës, të vitit 1973.
Rezoluta përmban tetë pika akuzash ndaj tij. Deri vonë, miratimi i saj konsiderohej pak i mundshëm, për shkak të shumicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve. Por, pas humbjes në zgjedhjet e fundit dhe pakënaqësisë në rritje brenda partisë, situata mund të ndryshojë.
Edhe kreu i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, ka deklaruar mbështetjen e plotë për nismën.
“Hegseth ka shpërdoruar pushtetin e tij, ka cenuar sigurinë tonë kombëtare dhe ka hartuar këtë luftë të pamatur dhe të kushtueshme në Iran, e cila ka rritur çmimet për amerikanët dhe e ka bërë vendin më pak të sigurt. Pete Hegseth duhet të largohet”, deklaroi Jeffries.
Hegseth sulmon kritikët: Duan të më largojnë politikisht
Nga ana e tij, sekretari amerikan i Mbrojtjes i ka hedhur poshtë akuzat, duke e cilësuar përpjekjen për shkarkimin e tij si një sulm politik.
Pa e përmendur drejtpërdrejt me emër, ai sulmoi kongresmenin Thomas Massie, duke e cilësuar si një politikan të pakënaqur dhe të mundur, që po bashkëpunon me demokratët për ta larguar nga detyra.
“Bëhet fjalë për politikën e eliminimit personal. Kjo nuk funksionoi kundër presidentit Trump dhe nuk do të funksionojë as kundër meje. Për këtë të jeni të sigurt”, deklaroi Hegseth.
Trump ende e mbështet, por përballë një dileme politike
Situata përbën një tjetër problem për Donald Trump, i cili po përpiqet të menaxhojë pasojat politike të humbjes në zgjedhjet e fundit.
Sipas burimeve të cituara nga Axios, disa bashkëpunëtorë të presidentit e konsiderojnë Hegseth një nga anëtarët më të cenueshëm të administratës, për shkak të kundërshtimeve që ka shkaktuar lufta në Iran, edhe brenda kampit republikan.
Megjithatë, Trump vijon ta mbështesë publikisht. Së fundmi, ai e cilësoi punën e Hegseth si fantastike dhe bëri të ditur se nuk ka ndërmend ta zëvendësojë.
Duhet theksuar se miratimi i procedurave në Dhomën e Përfaqësuesve nuk nënkupton automatikisht shkarkimin e Hegseth. Për largimin e tij nga detyra do të nevojitej një vendim fajësie në Senat, me shumicë prej dy të tretash.