Biden-Trumpit, "rritu"

Amerika

Biden-Trumpit, "rritu"

Më: 6 janar 2017 Në ora: 23:00
Joe Biden

Gjatë një interviste të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, zëvendëspresidenti Joe Biden kritikoi ashpër Presidentin e zgjedhur Donald Trump për mungesë maturie në komentet e tij publike. Ai i bëri thirrje Presidentit të zgjedhur që të fillojë të përmbushë pritshmëritë për rolin e tij duke bërë punë konkrete nëpërmjet propozimeve specifike legjislative.

Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden kritikoi Presidentin e zgjedhur Donald Trump, duke thënë se ka ardhur koha që ai “të piqet”. Komentet e zotit Biden u bënë gjatë një interviste me kanalin PBS të zhvilluar dje në Shtëpinë e Bardhë.

Drejtuesja e emisionit NewsHour, Judy Woodruff, e pyeti zotin Biden edhe për përdorimin e Twitter-it, ku gjatë ditëve të fundit zoti Trump e quajti kreun demokrat në Senat, Chuck Schumer, “krye-kllounin” e përpjekjes për të shpëtuar programin e sigurimit shëndetësor Obamacare.

“Rritu, Donald, rritu. Ka ardhur koha të piqesh. Ti je president dhe ke punë për të bërë. Na trego çfarë do të bësh për një legjislacion të ri që ne do ta diskutojmë dhe për të cilin publiku të vendosë. Ta lëmë Kongresin të votojë dhe të shohim si do të shkojë. Aty do të duket më qartë se çfarë ai përfaqëson kur do të diskutohet në detaj për aspekte që ndikojnë jetët e njerëzve.”

Zoti Biden foli edhe për raportet e agjensive amerikane të zbulimit për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane duke konfirmuar përpjekjet ruse për të ndikuar në procesin zgjedhor.

“Ka konsesus gjithnjë e më të madh dhe evidencë në komunitetin e zbulimit se Rusia u angazhua në një përpjekje për të ndikuar tek zgjedhjet. Nuk ka asnjë provë se ata u ngatërruan me procesin e votimit, por ka prova të qarta se ata u përfshinë në aktivitete që synonin të ndikonin tek rezultati i zgjedhjeve.”

Zoti Trump i ka kundërshtuar konkluzionet e agjensive të zbulimit se Rusia fshihej prapa sulmeve kibernetike të Komitetit Kombëtar Demokrat dhe stafit të fushatës së zonjës Clinton.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat