Amerikanët të shqetësuar për sigurimet shëndetësore

Amerika

Amerikanët të shqetësuar për sigurimet shëndetësore

Më: 8 prill 2017 Në ora: 22:43
ilustrim

Republikanët ndërmorën hapin e tyre të parë për të mbajtur një premtim të fushatës, shfuqizimin e programin shëndetësor të propozuar nga Presidenti Obama, që njihet si Obamacare. Ky program i miratuar me nismën e Presidentit Obama, u kritikua si shumë i kushtueshëm dhe me shumë rregulla. Megjithëse republikanët thonë se planet e tyre për zëvendësimin e programit Obamacare do të jenë më pak të kushtueshme dhe se do të jetë më e lehtë të përdoren, shumë amerikanë shqetësohen në se plani i ri do të mbulojë problemet shëndetësore ekzistuese të pacientëve, që shumë kompani shëndetësore private nuk i mbulojnë. Shumë amerikanë, të cilët kanë sigurimin shëndetësor Obamacare, shqetësohen për të ardhmen:

Bobby nga Kansasi e mbylli dyqanin e tij të mobilerisë, pasi nuk mund të paguante mijëra dollarë për sigurim shëndetësor për vete dhe punonjësit e tij.

Tani Bobby kalon shumë kohë në shtëpi. Ai është pa punë dhe e merr sigurimin shëndetësor përmes planit Obamacare të miratuar nga Presidenti Obama. Kjo e mban atë gjallë.

Bobby është i shqetësuar se planet për zëvendësimin e Obamacare nga Kongresi do ta mbyllin programin. Ose do t’i heqin atij pagesën e ilaçeve me recetë, apo klauzolën për mbulimin e kushteve ekzistuese shëndetësore.

“Obama ka thënë se plani i tij për shëndetësinë nuk është perfekt dhe atij mund t’i bëhen disa ndryshime, por nuk duhet hequr fare dorë prej tij.”- thotë Bobby.

Dr. Donna Sweet është e specializuar për kujdesin e pacientëve të prekur nga virusi HIV. Ajo ka punuar me pacientë me HIV që kur u zbulua SIDA.

Ajo thotë se fundi i planit Obamacare do ta çonte prapa disa dekada përparimin e arritur në luftën kundër Sidës.

“Po e humbëm Obamacare, do të shkojmë prapë atje ku ishim, kur njerëzit vdisnin në se nuk siguronin dot ilaçet e nevojshme.”

Dr. Sweet thotë se kjo do të çonte në një situate krize të shëndetësisë publike.

Kur personi i infektuar merr mjekime, shanset për transmetimin e sëmundjes pakësohen me 96 për qind.

Obamacare ka patur problemet e veta. Qendra mjekësore Mercy në shtetin Kansas dikur ishte plot.

Tani, gjysma e qytetit është shkatërruar; spitali është mbyllur për shkak të problemeve financiare, pjesërisht nga niveli i ulët i rimbursimit të Obamacare.

Por qendra Mercy nuk është e vetmja. Që nga viti 2010, kur hyri në fuqi Obamacare, janë mbylur 80 spitale në zonat rurale.

Dr. Greg Hennen drejton një klinikë 5 minuta larg qendërs.

“Nuk shoh të rikthehet asnjë spital në këtë qytet."

Pa patur spital pranë, pacientët që kanë planin Obamacare duhet të shkojnë në klinika specifike, që është e vështirë të gjenden në zonat rurale. I shoqi i Cindy Williamsit humbi punën një vit më parë. Ajo shpreson që Kongresi ta mbajë në fuqi Obamacare, me çmime të përballueshme.

“Ne kemi kursyer ca para gjatë viteve, pra kemi vënë diçka mënjanë. Por shumica e njerëzve nuk kanë kursime”.

20 milionë amerikanë përdorin Obamacare si sigurim shëndetësor. Shfuqizimi i këtij programit është përparësi për administratën e re, por zëvendësimi i tij një plan të ri mund të jetë një proces i gjatë./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat