Sfidat para Presidentit Trump dhe rivalëve demokratë

Amerika

Sfidat para Presidentit Trump dhe rivalëve demokratë

Më: 24 qershor 2017 Në ora: 16:04
Donald Trump

Kanë kaluar pesë muaj që nga inaugurimi i presidentit Donald Trump dhe niveli i mbështetjes së tij nga publiku mbetet afër 40 për qind, një shifër e ulët për një president kaq herët gjatë mandatit të tij. Por përkrahësit kryesorë të tij në përgjithësi nuk kanë ndryshuar opinion, dhe shumë prej tyre dolën për një tubim të presidentit në shtetin e Ajovas.

Një tubim në shtetin e Ajovas mes përkrahësve të tij të zjarrtë të rikujtonte fushtatën e presidentit Trump.

“Është gjithmonë e mrekullueshme të largohesh nga “moçali i Uashingtonit” dhe të kalosh kohë me njerëz vërtetë punëtorë. Ne i quajmë ata patriotë amerikanë. Njerëz të mahnitshëm” tha ai.

Ai u shpreh se administrata e tij kishte arritur “përparim të madh” gjatë pesë muajve të parë të tij në detyrë dhe falënderoi ata që e përkrahën gjatë muajve të parë të vështirë të presidencës së tij.

“Ne kemi zgjedhur një udhë si asnjë tjetër në historinë e vendit . Po rregullojmë vendin tonë me mirëkuptim dhe me zemër të mirë. Po rregullojmë vendin”.

Tubimi i zotit Trump u mbajt një ditë pasi Karen Handel shtoi përkrahjen për presidentin dhe republikanët në përgjithësi me fitoren e saj zgjedhore në shtetin e Xhorxhias.

“Dhe një falënderim të veçantë për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës” tha ajo.

Demokratët u zhgënjyen me humbjen në Xhorxhia sepse shpresonin se rritja e pakënaqësisë me presidentin do t’u kishte siguruar fitoren.

Por ish-kandidati për president dhe senatori nga shtetit i Vermontit, Bernie Sanders, tha se Trump do të mbetet një fokus kryesor për partinë demokrate ndërsa ata përgatiten për zgjedhjet e kongresit të vitit të ardhshëm.

“Sot në Shtëpinë e Bardhë ne kemi ndoshta presidentin më të keq dhe më të rrezikshëm në historinë e vendit tonë” tha zoti Sanders.

Demokratët kanë humbur katër nga pesë zgjedhjet speciale që prej inaugurimit të presidentit, dhe mund të jetë koha që ata të rishikojnë strategjinë, thotë analistja Andra Gillespie.

“Por unë mendoj se Partia Demokrate ka një problem më të madh, për sa i përket përpjekjeve për të ofruar një platformë që tërheq si bazën e saj me pikëpamje centriste, ashtu edhe progresistët, prandaj parashikoj se brenda partisë do të zhvillohen diskutime vërtet të vështira mes tyre”.

Për presidentin, sfida e tij do të jetë të largojë vëmendjen nga hetimi rreth Rusisë dhe të rifokusohet në axhendën e tij, thotë analisti John Fortier.

“Mendoj se do të jetë e vështirë me lajmet e pandërprera kundër tij. Por fokusi në çështje të tjera, ndryshimet e stafit, një qëndrim i hapur për disa tema për të cilat administrata ka një perspektivë të qartë ... mendoj se këto lëvizje mund të ndihmojnë. Por hetimi është një çështje serioze dhe tani për tani ata duhet të merren me të”.

Sfida e ardhshme e madhe e presidentit do të jetë miratimi i një projektligji për kujdesin shëndetësor në Senat. Për momentin varianti i përgatitur nuk ka një të ardhme të sigurtë./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat