Reformimi i Departamentit amerikan të Shtetit

Amerika

Reformimi i Departamentit amerikan të Shtetit

Më: 7 shtator 2017 Në ora: 18:49
Donald Trump dhe Rex Tillerson

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson është zotuar të kryejë një riorganizim madhor të Departamentit amerikan të Shtetit. Të mërkurën, Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë, Ed Royce, ishte i pranishëm në një takim që u mbajt në Departamentin e Shtetit, ndërsa një numër ish ambasadorësh dhe udhëheqësish biznesi dorëzuan një raport me rekomandime për reformimin e Departamentit të Shtetit. Ky grup dypartiak ekspertësh thotë se është e nevojshme për ta fuqizuar Departamentin e Shtetit, në një kohë ndryshimesh të mëdha dhe të shpejta të sfidave dhe kërcënimeve globale. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine njofton nga Departamenti i Shtetit.

Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Ed Royce, tha se ai e ka shprehur qartë mendimin e tij se nuk I mbështet shkurtimet e thella në Departamentin e Shtetit dhe në Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar, të propozuara nga administrata Trump.

"Kur administrata njoftoi 30 për qind shkurtime, unë shpreha shqetësim dhe thashë se ne duhet t’i mbështesim, dhe jo t’i ndërpresim programet e anti terrorizmit, të zbatimit të ligjit dhe ato humanitare, përballë shtimit të rreziqeve sot,” tha zoti Royce.

Ed Royce i kërkoi Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson, që të veprojë me shpejtësi për të plotësuar vendet bosh të zyrtarëve të lartë, si në Departamentin e Shtetit, edhe në ambasadat amerikane në vende të ndryshme të botës.

"Punonjësit e Departamentit kanë nevojë për një zinxhir komande të efektshëm, me qëllim që të zbatojë politikat e adminsitratës dhe detyrat kryesore të sigurisë kombëtare,”- tha zoti Royce.

Një grup dy partiak ish ambasadorsëh ishin dakord me këtë qasje, duke thënë se raporti i tyre argumenton se është e nevojshme që Departamenti i Shtetit të fuqizohet, duke pakësuar numrin e sektorëve dhe zyrave dhe për ta bërë të detyrueshëm trajnimin e punonjësve të nivelit të mesëm.

"Ne nuk mund të përballojmë të kemi një Departament Shteti të dobët. me mungesë fondesh, të drejtuar jo mirë, të patrajnuar siç duhet dhe me shumë burokraci. Ne duhet ta fuqizojmë dhe përmirësojmë atë, në mënyrë që të japë më tepër rezultate.” – tha ish ambasadori Crocker.

Një ish zyrtar i lartë për financat në Departamentin e Shtetit tha se kosto e sigurisë diplomatike është rritur së tepërmi që nga koha e sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001.

"Ne tani shpenzojmë më shumë për sigurinë e Departamentit të Shtetit, se sa për funksionimin e tij. Për këtë çështje duhet të diskutojmë,”- tha ish zyrtari.

Të gjithë ekspertët ishin të një mendimi, se diplomacia është më e rëndësishme se asnjëherë tjetër, për të mbrojtur amerikanët brenda vendit dhe për t’i mbajtur jashtë rrezikut trupat amerikane jashtë Shteteve të Bashkuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat