Trump: Nuk do të lejoj shfrytëzimin e SHBA-së

Amerika

Trump: Nuk do të lejoj shfrytëzimin e SHBA-së

Më: 10 nëntor 2017 Në ora: 11:43
Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë fjalimit të tij në samitin aziatik të tregtisë në Vietnam.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë në samitin aziatik të tregtisë se SHBA nuk do të toleroj shfrytëzimet tregtare dhe se ai do të këmbëngul në politika tregtare të drejta dhe të barabarta.

“Nuk do të lejojmë që të përfitoni nga SHBA. Unë gjithmonë do ta vendos Amerikën të parën”, ka thënë Trump në adresimin e tij në samitin për Bashkëpunim Ekonomik (APEC), në Vietnam.

Shtetet e Bashkuara kanë disbalancë tregtare me Kinën dhe Japoninë, vende të cilat Trump i ka vizituar gjatë turneut të tij 11 ditorë në Azi.

Trump në të kaluarën e ka akuzuar Kinën për siç tha ai “ vjedhje të vendeve të punës”.

Një retorikë e tillë ka ndryshuar me vizitën e tij të fundit në këtë vend, ku ka thënë se ai nuk e fajëson Kinën për tregti “ të padrejtë”.

“Shtetet e Bashkuara, – tha ai, – nuk do t’i tolerojnë më abuzimet kronike të tregtisë. Unë gjithmonë do të vë të parat interesat e Amerikës”, shtoi shefi i Shtëpisë së Bardhë dhe vendet e “APEC”-ut sipas tij duhet t’i binden rregullave të tregtisë së ndershme.

“Për shumë vite me radhë, Shtetet e Bashkuara e kanë hapur sistematikisht ekonominë e tyre me disa kushte. Ulëm tarifat mbi mallrat që hyjnë në vendin tonë, tkurrëm barrierat tregtare dhe lejuam vërshimin e lirë të produkteve të huaja. Por, ndërkohë që ne i reduktuam pengesat e tregut të brendshëm, vendet e tjera nuk i hapën tregjet e tyre për ne. Që ta përmbledh shkurtimisht, OBT-ja nuk na ka trajtuar ashtu siç duhet. Organizata të tilla funksionojnë siç duhet, vetëm kur respektohen rregullat dhe të drejtat e secilit prej anëtarëve”, tha Trump.

Për gati 30 vite, “APEC”-u ka qenë vendi ku Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr përpjekjet e tregtisë së lirë dhe lidhjet më të forta të biznesit mes ekonomive më dinamike të globit. Por tentativat e Trump për të arritur një ujdi sa më të mirë për Amerikën e kanë ndryshuar panoramën.

Argumenti i tij është se dekadat e rritjes së tregtisë në rajonin e Azi-Paqësorit kanë dëmtuar kompanitë amerikane. Shtetet anëtare të “APEC”-ut janë duke eksploruar mënyra të tjera për të përmirësuar rrjetet e tyre tregtare pa Amerikën, dhe Kina, tashmë një rival serioz për dominimin ushtarak dhe diplomatik në Azi, po e bën të qartë se është e përgatitur t’iu heqë nga duart SHBA-ve edhe lidershipin ekonomik.

“APEC”-u bën bashkë 21 ekonomi të rajonit të Paqësorit, e barasvlershme kjo me 60% të GDP-së së botës

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat