Comey theu protokollin e FBI-së në rastin Clinton - Bota Sot
Comey theu protokollin e FBI-së në rastin Clinton

Amerika

E hënë, 19 nëntor 2018

Comey theu protokollin e FBI-së në rastin Clinton

Më: 15 qershor 2018 Në ora: 06:50
Ish-drejtori i FBI-së, James Comey.

Një raport i shumëpritur i Departamentit amerikan të Drejtësisë akuzoi ish-drejtorin e FBI-së, James Comey, për sjellje “të paarsyeshme”, por jo politikisht të njëanshme.

Inspektori i përgjithshëm, Michael Horowitz, tha se ai nuk ka vepruar me normat e FBI-së gjatë hetimit të emaileve të ish-sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.

Ajo është hetuar për përdorim të emailit privat për punë zyrtare gjatë kohës sa ka qenë sekretare e Shtetit.

Clinton e ka fajësuar Comeyn për humbjen e saj përballë Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Raporti po ashtu zbuloi se Comey ka përdorur një llogari private të postës elektronike për të kryer punë zyrtare të FBI-së.

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, tha se i pranon gjetjet e raportit, por shtoi se asgjë në këtë dokument nuk tregon për anshmërinë politike të institucionit të tij.

Në raport, inspektori i përgjithshëm, Horowitz, e kritikoi vendimin e Comeyt për të zbuluar publikisht, një javë përpara zgjedhjeve, se ai ka rihapur hetime ndaj emaileve të Clintonit dhe e hodhi poshtë argumentin e Comeyt se ai ka vepruar në interes të transparencës.

Horowitz tha se veprimet e Comeyt nuk kanë qenë rezultat i anshmërisë politike, porse “me largimin dramatik” nga normat e FBI-së, vendimi ka ndikuar negativisht në perceptimin e FBI-së si “administrator i drejtësisë”.

Raporti prej 500 faqesh po ashtu gjeti “mungesë shqetësuese të komunikimit direkt dhe substancial” midis Comeyt dhe ish-prokurores së përgjithshme, Loretta Lynch.

Image
Hillary Clinton

John Podesta, i cili ka udhëhequr fushatën e Clintonit, i tha agjencisë Reuters se raporti tregon padyshim se Comey ka qenë i padrejtë ndaj Clintonit, kur i ka bërë publike zhvillimet rreth hetimeve të emaileve të saj në kulmin e fushatës. Podesta po ashtu theksoi se Comey nuk ka thënë asnjë fjalë për hetimet e Rusisë, që janë hapur qysh në korrik të vitit 2016.

Rusia dyshohet se ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, në nëntor të vitit 2016, në favor të zgjedhjes së Donald Trumpit president, ndonëse e mohon një gjë të tillë.

Në reagimin e parë ndaj raportit, Comey shkroi në Twitter dhe në një artikull në gazetën New York Times se nuk ndjen keqardhje për mënyrën se si i ka trajtuar hetimet ndaj Clintonit.

“Në vitin 2016, ekipi im u përball me një situatë të jashtëzakonshme që nuk ofronte zgjedhje të mira, por detyronte disa nga vendimet më të vështira që kam bërë ndonjëherë”, shkroi Comey në New York Times.

Ish-Prokurorja e Përgjithshme, Loretta Lynch, lëshoi një deklaratë që përshkruan se si raporti e mbështeti "besnikërinë e saj ndaj sundimit të ligjit" dhe nuk përmend asnjë nga kritikat që ka raporti.

 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test