Marrëdhënia Trump-media: Donald Trump kundrejt A.G. Sulzberger

Amerika

Marrëdhënia Trump-media: Donald Trump kundrejt A.G. Sulzberger

Më: 29 korrik 2018 Në ora: 22:45
Zyrat e gazetës "The New York Times" në Nju Jork

Presidenti Donald Trump tha të dielën se i kishte thënë kohët e fundit publikuesit të gazetës “The New York Times” se si ai kishte arritur t’i quante mediat “Armiku i popullit”, por drejtori i kësaj kompanie mediatike tha se ai i ishte përgjigjur Trumpit, duke i thënë se gjuha e tij ishte “nxitëse” dhe “përherë e më e rrezikshme” për gazetarët në mbarë botën.

Në një koment që bëri në Twitter, Trump e përshkroi takimin e tij të 20 korrikut në Shtëpinë e Bardhë me A.G. Sulzberger si "shumë të mirë dhe interesant”. Udhëheqësi amerikan tha se “kishte shpenzuar shumë kohë duke folur për sasinë e madhe të “Lajmeve të Rreme” që botohen në media dhe se si ky term ishte shndërruar prej tij në frazën “Armik i popullit”. Kjo është për të ardhur keq”, - shkruante Presidenti.

Sulzberger, që është ndoshta botuesi më i madh në Shtetet e Bashkuara, tha se, sipas një tradite shumëvjeçare, sipas së cilës botuesit e gazetës prestigjioze takohen me presidentët amerikanë, takimi u mbajt me kërkesën e ndihmësve të zotit Trump, por ai nuk duhej publikuar.

Image
Arthur Sulzberger Jr., drejtor dhe botues i gazetës "The New York Times"

Zoti Sulzberger, tha se meqenëse Trump shkroi në Twitter për takimin, duke e bërë publik ritin shumëvjeçar të takimit të botuesit me presidentin amerikan, ai vendosi t’i përgjigjej zotit Trump, për të dhënë vlerësimin e tij për bisedën nga shënimet që ai mori në takim, krahas me ato të editorit të rubrikës opinioniste të gazetës, James Bennet, i cili ishte gjithashtu i pranishëm të takim.

"Qëllimi ynë kryesor në pranimin e takimit, ishte që të ngrinim shqetësime lidhur me retorikën e Presidentit kundër shtypit, një çështje tepër shqetësuese. Unë i thashë Presidentit se gjuha e tij nuk ishte vetëm përçarëse, por në fakt po bëhej përherë e më e rrezikshme”, tha Sulzberger.

Image
Zyrat e gazetës "The New York Times" në Nju Jork

Sulzberger shtoi: "Unë theksova vazhdimisht, se ky konstatim është sidomos i vërtetë jashtë vendit, ku retorika e Presidentit shfrytëzohet nga disa regjime, për të justifikuar masat shtypëse ndaj gazetarëve. E paralajmërova se qëndrimi i tij vinte në rrezik jetë njerëzish, minonte idealet demokratike të kombit tonë dhe se dëmtonte një nga çështjet më madhore që eksporton vendi ynë: përkushtimin ndaj lirisë së fjalës dhe shtypit të lirë."

Botuesi i “New York Times-it” tha se “i kishte thënë Trump-it se termi “lajme të rreme” nuk është i vërtetë dhe se është i rrezikshëm; se unë shqetësohem akoma më tepër për emërtimin e gazetarëve prej tij si “armiku i poullit”. E paralajmërova se kjo gjuhë nxitëse po kontribuon tek shtimi i kërcënimeve kundër gazetarëve dhe ka për të çuar në dhunë.”

Sulzberger nuk foli për reagimin që kishte patur Presidenti ndaj komenteve të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat