Trump “ndëshkon” ish-shefin e CIA-s, kush është tjetër në listë? - Bota Sot
Trump “ndëshkon” ish-shefin e CIA-s, kush është tjetër në listë?

Amerika

E mërkurë, 14 nëntor 2018

Trump “ndëshkon” ish-shefin e CIA-s, kush është tjetër në listë?

Më: 16 gusht 2018 Në ora: 12:12
Ish-drejtori i CIA-s, John Brennad duke dëshmuar para Komitetit të Inteligjencës të Dhomës së Përfaqësuesve

Presidenti amerikan, Donald Trump i ka ndaluar ish-drejtorit të CIA-s, John Brennan qasje në dokumentet e klasifikuara për ngjarjet që ndodhin në botë, duke kërcënuar se mund të bëjë të njëjtën gjë edhe ndaj ish-zyrtarëve të lartë të sigurisë kombëtare.

Kundërshtarët e Trumpit e kanë cilësuar këtë hap, si akt të pashembullt kundër kritikëve të presidencës së tij.

Shumica e personave të shënjestruar më 15 gusht kanë qenë zyrtarë të inteligjencës apo të zbatimit të ligjit nga administrata e ish-presidentit, Barack Obama dhe presidentëve të tjerë, që kanë folur hapur kundër gabimeve dhe abuzimeve të Trumpit.

Në një deklaratë tejet personale, Trump ka justifikuar veprimin e tij duke thënë se “sjellja e çoroditur” e Brennanit përbën “rrezik” për sigurinë kombëtare.

Image
Presidenti amerikan, Donald Trump

Trump ka pretenduar se si president, ka “përgjegjësi kushtetuese” për të mbrojtur kombin nga rreziqe të tilla.

Mirëpo Brennan ka thënë se hapi i Trumpit përbën “abuzim me pushtetin” teksa kundërshtarët tjerë të presidentit amerikan kanë thënë se, Trump ka krijuar një “listë të armiqve”, me të cilët ka mospajtime personale dhe se ky vendim reflekton sistem të “diktaturave dhe jo demokracive”.

Brennan ka pretenduar se presidenti amerikan është duke tentuar të kufizojë të drejtën e lirisë së shprehjes, e cila është e garantuar në Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane.

Sipas tij një vendim i tillë politik, duhet të jetë “thellësisht shqetësues për të gjithë amerikanët”.

Ish-zyrtarë të tjerë të lartë qeveritarë, sikurse Brennan, tradicionalisht kanë pasur qasje në dokumente të klasifikuara, në mënyrë që të këshillojnë pasardhësit e tyre dhe të punojnë në pozita të larta për çështje të huaja.

Mbështetësit dhe kritikët e Trumpit, e kanë cilësuar veprimin e presidentit amerikan si përshkallëzim të betejës së tij me agjencitë amerikane të inteligjencës dhe ato të zbatimit të ligjit.

Kush është tjetër në listë?

Duke e bërë këtë njoftim publik, Trump ka akuzuar Brennan për “përdorim të statusit të tij si ish-zyrtar i lartë me qasje në informacione të ndjeshme, për të bërë një varg supozimesh të pabazuara në internet dhe televizion rreth administratës” së tij.

Brennan pati fituar vëmendjen e mediave muajin e kaluar duhet e cilësuar Trumpin “hiç më pak se tradhtar”, pas deklaratave të presidentit amerikan në konferencën e përbashkët me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në Finlandë.

Përveç tjerash, Trump ka deklaruar se është duke konsideruar që të njëjtën gjë sikurse kundër Brennan ta zbatojë edhe ndaj zyrtarëve tjerë të lartë që e kanë kritikuar, duke përfshirë, ish-drejtorin e FBI-së, James Comey, ish-drejtorin e Inteligjencës Kombëtare, James Clapper, ish-udhëheqësin e CIA-s, Michael Hayden, ish-Këshilltaren për Siguri Kombëtare, Susan Rice, dhe ish-zëvendësdrejtorin e FBI-së, Andrew McCabe.

Image
Ish-zyrtarët e lartë të inteligjencës dhe administratës së kaluar në SHBA, të cilët janë vënë në "shënjestër" nga presidenti, Donald Trump

Comey ka drejtuar hetimet e FBI-së për lidhjet e mundshme në mes të Rusisë dhe fushatës së Trumpit, para se presidenti amerikan ta shkarkonte nga kjo pozitë vitin e kaluar.

Lajka apo heshtje?

Në një deklaratë për Wall Street Journal më 15 gusht, Trump ka thënë se ka shënjestruar disa persona në këtë listë, sepse ata kanë drejtuar hetimet për Rusinë, të cilat i ka cilësuar vazhdimisht si “gjueti shtrigash”.

Ndërkohë duke reaguar për CNN, Clapper ka thënë se ai nuk planifikon të ndalojë së foluri për administratën e Trumpit.

“Ata sikur po thonë se mënyra e vetme që mund të flas për presidentin është duke bërë lajka. Më falni, nuk e pranoj atë”.

Sekretarja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders ka insistuar në anën tjetër se Trump nuk është nuk shënjestruar vetëm kritikët e tij.

Mirëpo demokratët në Kongres, e kanë akuzuar Trumpin për krijim të “listës së armiqve”.

“Trump ka treguar edhe një herë sa i pasigurt dhe hakmarrës është, dy tipare shumë të rrezikshme për çdo president”, ka thënë demokrati, Adam Schiff, i cili njëherësh është pjesë e Komitetit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Unë po ashtu besoj se ky veprim për të heshtur një kritik është i paligjshëm”, ka deklaruar ndër të tjera ai./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test