Shqipëria 3 medalje në Kampionatin Ballkanik, Luiza Gega shpallet kampione - Bota Sot
Shqipëria 3 medalje në Kampionatin Ballkanik, Luiza Gega shpallet kampione

Atletika

Shqipëria 3 medalje në Kampionatin Ballkanik, Luiza Gega shpallet kampione

Më: 16 shkurt 2019 Në ora: 18:45
Luiza Gega

Në Stamboll të Turqisë është zhvilluar sot pasdite edicioni nr.24 i Kampionatit Ballkanik i sallave të mbyllura për të rritur në atletikë, event ku është përfaqësuar edhe vendi ynë. Një Ballkaniadë që i dhuroi Shqipërisë 3 medalje: Një të artë me atleten Luiza Gega në garën e 3000 metrave, një të argjendtë me Izmir Smajlaj në kërcim së gjati dhe një të bronztë në garën e 400 metrave me atletin Franko Burraj.

Luiza Gega bëri detyrën në këtë Ballkaniadë, duke fituar me lehtësi garën e 300 metrave, në një turne ku ajo prej vitesh dominon dhe ku nuk ka rivale. Atletja kuqezi bëri një garë të mirë, duke u shkëputur që në xhirot e para dhe e rriti distancën me rivalet, të pafuqishme për të ndalur ritmin e Gegës. Ajo dha kohën 8’56”04, ndërsa vendi i dytë mbërriti me 20 sekonda vonesë.

Kjo medalje e artë për Gegën ishte një formalitet, që sa herë ka garuar në Ballkaniadë ka marrë medalje të artë. Madje për atleten shqiptare kjo është medalja e gjashtë e artë në Kampionatin Ballkanik.

Nuk zhgënjen as Izmir Smajlaj, që në këtë event mori medaljen e argjendit në garën e kërcimit së gjati. Atleti shkodran kërceu 7.70 metra, një rezultat larg rekordit të tij personal (8.08 metra), por që i dha medaljen e argjendtë. Gjithsesi, ky ishte vetëm eventi i parë sezonal për të, sezon që premton shumë për kampionin e Europës së sallave të mbyllura.

Ndërkohë, në garën e 400 metrave, atleti shkodran Franko Burraj është renditur i treti, duke marrë medaljen e bronzit në këtë Ballkaniadë. Jo vetëm kaq, por Burraj vendosi edhe rekord të ri kombëtar në këtë disiplinë në sallat e mbyllura, duke dhënë kohën 47”76 (koha e mëparshme ishte 48”22). Një paraqitje e shkëlqyer e atletit shqiptar, që bëri një garë të fortë dhe ia doli mbanë të sigurojë zonën e medaljeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...