Sylejmani: Nuk jam bash i kënaqur qind për qindtë me numrin e pjesëmarrësve  - Bota Sot
Sylejmani: Nuk jam bash i kënaqur qind për qindtë me numrin e pjesëmarrësve 

Atletika

Sylejmani: Nuk jam bash i kënaqur qind për qindtë me numrin e pjesëmarrësve 

Nga: Kemajl Goca Më: 28 prill 2019 Në ora: 19:30
Sylejmani: Nuk jam bash i kënaqur qind për qindtë me numrin e pjesëmarrësve 

Në orët e paradites së dielë, Prishtina vlonte nga atletët e atletet e shteteve të ndryshme të botës! Pamje fantastike, kohë e freskët dhe që i përshtatej shumë Gjysmëmaratonës ndërkombëtare “Prishtina 2019”, e 19-ta me radhë. Organizimi në pikën më të lartë. Shtegu shumë i mirë, atletët startuan në orën 10.00 nga Teatri Kombëtar, në relacionin Fushë Kosovë-Prishtinë dhe anasjelltas, në shtegun e gjatë 21 kilometra.

Kenianët dominuan qoftë të femrat qoftë të meshkujt. Garë drithëruese qoftë të femrat qoftë të meshkujt, diferenca mes të parit dhe të dytit shumë e ngushtë në aspektin e sekondave. Një numër i qytetarëve kishin dalë përreth shtegut, të përcillnin këtë garë tradicionale ndërkombëtare! Atleti Hosea Kiplagat Tuei nga Kenia zuri vendin e parë me kohë të kaluar për një orë e katër minuta e 15 sekonda, duke e lënë pas për 15 sekonda bashkëkombësin e tij Abel Kibet Rop.

Garë shumë e fortë e me rivalitet të madh, kurse Rop nuk ia doli të mbrojë titullin e fituar edicionin e kaluar. “Jam shumë i lumtur për vendin e parë, unë e pëlqej Prishtinën dhe njerëzit e saj sepse janë shumë të mirë, po ashtu edhe organizimi ishte shumë i mirë dhe më pëlqen”, ka thënë Tuei. Në vend të tretë renditet keniani tjetër Youssef Sbaai me kohë të kaluar për 1:04,37 orë. Ndërkaq nga atletët e Kosovës, asnjë në pesëshen e parë. Tiron Mamusha renditet në vend të shtatë me kohë të kaluar për 1:13.40 orë, kurse Emin Grajçevci është i nënti me 1:17.15. Në konkurrencën e femrave, Ruth Chemisto Matebo triumfoi me kohë të kaluar për një orë e 13 minuta e 24 sekonda, me kohë më të mirë për 13 qindtat se bashkëkombësja e saj Euliter Jepchipchir Tanui.

Në pozitën e tretë renditet Ruth Nundu Mbatha me kohë të kaluar për 1:13,41 orë. Ndërkaq, nga garueset e Kosovës, Erida Kurshumlia dhe Fatlume Gjuka-Bakraqi, arritën në vend të shtatë përkatësisht të tetë. “Ky është viti i dytë, vitin e kaluar isha këtu dhe fitova vendin e dytë, këtë vit janë këtu dhe mora vendin e parë, e pëlqej organizimin vendi është i mirë, më pëlqen vendi dhe njerëzit këtu. Me siguri që edhe vitin tjetër do të jem pjesë e garës”, ka thënë Matebo.

Kryetari i Federatës Atletike të Kosovës, Halil Sylejmani, shprehet se organizimi ka qenë në nivelin e duhur, po ashtu ajo që e ka kënaqur më së shumti gjithsesi ka qenë koha e freskët, as me temperatura të larta e as të ulëta, e më e mira e të mirë që nuk ka pasur as reshje të shiut. Në Gjysmëmaratonë morën mbi 1200 garues. “Nuk jam bash i kënaqur qind për qindtë me numrin e pjesëmarrësve. Koha e mirë, organizimi vërtet në nivelin e duhur dhe rezultate janë edhe më të mira se vitet e kaluara. Pjesëmarrja e garuesve shumë e mirë, nga brenda duhet me bërë shumë më shumë që në të ardhmen të kemi garues elit më shumë në garën ndërkombëtare tradicionale”, tha Sylejmani. Ai kërkon që në të ardhmen edhe udhëheqësit e shtetit tonë të janë pjesëmarrës në Gjysmëmaratonë. “Me pjesëmarrje na ka nderuar e respektuar edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Ai e ka bërë interesant garën, por i ftojë edhe udhëheqës të tjerë që të garojnë në të ardhmen në këtë ngjarje më të madhe në vendin tonë. Kosova është e jona, e lirë, shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe ky aktivitet, i 19-ti me radhë, vërtet po i jep një imazh të fuqishëm, më së miri e dëshmon edhe pjesëmarrja e atletëve elit nga vendet e ndryshme të botës”, theksoi Sylejmani.

Image

Më tutje tha se në garat e ardhshme do të ishte mirë të ketë sa më shumë dashamirë në përkrahje të atletëve. “Koha ishte fantastike, as me shi, as e ftohtë dhe i shkojë përshtati Gjysmëmaratonës. Mirë kishte me qenë që dashamirët e atletikës në të ardhmen, të dalin e ta përcjellin dhe të brohorisin, sepse është një kulturë sportive e shtetit të Kosovës dhe do të kishte qenë frytdhënëse. Shpresoj se në të ardhmen do të kemi atlet elit tanë që të paktën të janë në pesëshen e parë”, tha Sylejmani.  Ndërsa tek garuesit vendor ishte Tiron Mamusha, ai i cili doli i pari në disiplinën 21 kilometra.

Te kategoria e veteranëve ngadhënjeu malazezi Dragolub Koprivica, pastaj janë Igor Jakimovski (Maqedonia) e Istvan Kovasc (Hungaria), kurse te femrat e para doli Emily Jemutai Cheruiyot nga Kenia, duke lënë pas Natyra Kelmendi-Shala (Kosova) e Anita Haradinaj (Kosova). Në kategorinë pesë kilometra, i pari doli Çlirim Hyseni (Trepça ’89) me kohë të kaluar për 16,01 minuta (meshkujt), pasojnë Gent Kaja (Trepça ’89) 16,12, Albion Ymeri (Gërmia) 16.21 minuta. Te femrat Gresa Bakraqi doli e para me kohë të kaluar për 17,51 minuta, pasojnë: Adrijana Pop Arsona (Maqedonia) 18,22 dhe Arbnore Berisha (Malisheva) me 20,07.  Shije garës si gjithmonë i dhanë edhe personat me aftësi të kufizuara, ku Ali Zeqiri zuri vendin e parë për meshkujt, pas tij renditen Reshat Haliti e Besim Galica.

Bukurije Hajdini doli e para për femrat, pasojnë Samire Xhokli e Vjollca Hoxha. Në kategorinë 2 kilometra, Olti Bytyçi (Malisheva) renditet i pari, pas tij janë Yll Bytyçi (Malisheva) e Enver Qeriqi (Kalaja). Te femrat, e para doli Merisa Bojaxhiu (Prizreni), Edolinda Alimehaj (Besa) e Oketa Gega (Besa).  Fituesi i Gjysmëmaratonës qoftë të meshkujt qoftë të femrat morën shpërblimin 1200 euro.

Rezultatet, meshkujt
1. Hosea Kiplagat Tuei (Kenia)    1:04.15
2. Abel Kibet Rop (Kenia)    1:04.29
3. Youssef Sbaai (Kenia)    1:04.37
4. Elijah Mutuku Wambua (Kenia)    1:05.45
5. Ezamzami Abid (Maroku)    1.72.00
6. Moses Kipruto Kibire (Kenia)    1.09.11
7. Tiron Mamusha (Kosova)    1.13.40
8. Saverio Giardiello (Italia)    1.16.18
9. Emin Grajçevci (Kosova)    1.17.15
10. Laszlo Kishazi (Hungaria)    1.19.22
Femrat
1. Ruth Chemisto  Matebo (Kenia)    1:13:24
2. Euliter Jepchipchir Tanui (Kenia)    1:13:27
3. Ruth Nundu Mbatha (Kenia)    1:13:41
4. Joyline  Chemutai (Kenia)    1:14:53
5. Ilham El Mouradi    (Maroku)    1:16:20
6. Gladys Jepkurui (Kenia)    
7. Erida Kurshumlia    (Kosova)    
8. Fatlume Gjuka – Bakraqi (Kosova)    
9. Angela Karina Avadanei (Rumania)    
10. Maria Saunders (SHBA)

Shpërblimet për 10 vendet e para, 21 km
Meshkuj e femra

Vendi i parë    1200 euro 
Vendi i dytë    900 euro 
Vendi i tretë    700 euro 
Vendi i katërt    500 euro 
 Vendi i pestë        400 euro
Vendi i gjashtë    300 euro
Vendi i shtatë    200 euro
Vendi i tetë    100 euro
Vendi i nëntë    70 euro
Vendi i dhjetë    50 euro

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...