Sportistja e Kosovës që lufton në tri fronte 

Atletika

Sportistja e Kosovës që lufton në tri fronte 

Nga: Kemajl Goca Më: 25 gusht 2019 Në ora: 16:45
Edona Gjosha

Kosova është një gurrë e pashtershme e talenteve në të gjitha sportet, por ajo që bie në sy padyshim është sportistja nga Mitrovica, Edona Gjosha, e cila merret me tri degë sportive! Në të tria degë sportive është shumë e suksesshme!

Image

Është atlete në disiplinat teknike, si në hedhjen e shtizës dhe të gjyles, po ashtu edhe volejbolliste, aktualisht pjesë e KVF Ferizajt!

Sportiste e rrallë që merren me tri sporte dhe me një motiv të madh!  Ajo një periudhë ka ushtruar edhe futboll nën drejtimin e trajnerit Seid Onbashi (atëkohë në KFF Trepça ’89).  Edona më shumë luante si qendërmbrojtëse por qysh kur ishte në moshën 13-vjeçare vendosi të largohet nga futbolli dhe pastaj t’i kushtohet volejbollit, së fundit edhe atletikës në shtizë dhe në hedhje të gjyles.

Të gjitha sportet i shkojnë përdore, ndonjëra prej është më e vështirë.  Në atletikë është në klubin Trepça dhe ka trajner të palodhshmin Mustafë Rrustemi, nga i cili ka mësuar shumë gjëra të reja. Edona është anëtare e kombëtares së Kosovës dhe kampione në gjyle dhe në shtizë.

Ndërkaq, edhe në volejboll ka synime të mëdha në fanellën e Ferizajt, që ka trajnere Arta Ramadanin. Hapat e parë në volejboll i bërë në KVF Trepça, pastaj kaloi në Prishtina Volley dhe tani është anëtare e re e Ferizajt.  

Edona punon me përkushtim, ka një talent për disiplinat teknike, sidomos forcë për të hedhur gjylen dhe shtizën. Është e gjatë 182 centimetra, gjatësi që i shërben shumë edhe në sportin skofiar, ku luan në pozitën e qendrës dhe pritet të jetë ndër lojtaret kyqe të KVF Ferizajt.

Sportistja e shumanshme zotohet që të punojë sa më shumë të përsoset si në volejboll dhe në disiplinat teknike, e synimi i saj është që një ditë të sjellë medalje nga rrafshi ndërkombëtare, sidomos nga garat evropiane e botërore të atletikës. Sportistja që lufton në tri fronte.  Sportistja e tri disiplinave sportive flet me kënaqësi për synimet, për kushtet që ka dhe cili sport është më i vështirë.      

“Bota sot”: Edhe volejbolliste edhe atlete, sa është vështirë?

Edona Gjosha: Kur dëshiron që të arrish diçka që e do edhe po të jetë e vështirë përpjekësh prapë për të arritur atë, dëshira e mund vështirësinë. Kur ke vullnet e dëshirë arrihen të gjitha, arma më e fortë përveç talentit është edhe puna!

“Bota sot”: Si iu lindi dashuria për këto sporte, si u inspiruat?
Edona Gjosha:
Që nga fëmijëria kam qenë e dhënë pas sportit, volejbolli gjithashtu edhe atletika (disiplinat që unë i kam), janë sporte të pastërta. Fillimisht në dy sportet ka qenë pak vështirë, por çdo herë me punë ka ardhur motivi, dashuria ndaj sportit.

“Bota sot”: Në shtizë jeni prej më të mirave, sa është vështirë, a duhet shumë punë?
Edona Gjosha:
Duke marr parasysh që çdo teknikë e në çdo sport është e vështirë po ashtu edhe tek shtiza duhet shumë punë dhe t’i përkushtohesh çdo lëvizje deri tek hedhja.

Image

“Bota sot”: Cili është rekordi me shtizë dhe edhe sa metra synoni ta hidhni atë?
Edona Gjosha:
Rekordi im ka qenë 31 metra, ndërsa gjatë garave evropiane në Shkup 2019 kam thyer rekordin tim personal deri në 33 metra. Këtë e arrita për një muaj që kam filluar që ta ushtroj këtë sport. Kam arritur hedhje mjaft të suksesshme saqë arrita të jem pjesë e Përfaqësueses së Kosovës, por synimet i kam për sukses ende më të mirë.

“Bota sot”: A më vështirë është në hedhjen e shtizës apo të gjyles?
Edona Gjosha:
Unë mendoj të hedhja e gjyles është pak më e vështirë se ajo e shtizës.
“Bota sot”: Ku të shkon më mirë, në shtizë apo në gjyle?
Edona Gjosha: Në të dyja kam një rezultat si të ngjashëm, por e preferoj më shumë shtizën. Kam arritur ta hodhi gjylen deri 10.98 metra. 

“Bota sot”: Një periudhë në KVF Trepça, pastaj në KVF Prishtina Volley, aktualisht në Ferizaj, a ishte vështirë t'ia kthesh shpinën klubit të zemrës, Trepçës?
Edona Gjosha:
Për mua ka qenë mjaftë e vështirë pasi që ka qenë ekipi im fillestar, ku kam kaluar një periudhë mjaft e gjatë që kam qenë pjesë e ekipit të qytetit tim, përndryshe nga ekipi Trepça ka qenë vështirë të ndahem (trajnerët,  bashkëlojtaret), por kjo është pjesë e sportit.

“Bota sot”: Cilat janë synimet tuaja?
Edona Gjosha:
Synimet e mija për të ardhmen janë që të vazhdoj me punë ndaj sportit, të arrij sa më lartë, të korri sukses aq sa do të mundem.

“Bota sot”: Kush ishte sebep që nga Trepça kaluat në kryeqytet për një kohë përkatësisht në Prishtina Volley?
Edona Gjosha:
Pas disa lojërave që kemi pas ekipi im KVF Trepça ndaj ekipit të Prishtina Volley, jemi njoftuar me trajnerin Naser Krasniqi, pastaj më ka ftuar të jem pjesë e ekipit të tij, pas disa negociatave bëmë marrëveshje dhe u bëra pjesë e ekipit të Prishtinës Volley, ku ishte kënaqësi të jem pjesë e këtij ekipi. Tani kam kaluar në KFV Ferizaj dhe do të jetë një aventurë e re, shpresoj të arrijmë suksese.

“Bota sot”: Më shumë iu flenë në zemër atletika apo volejbolli, apo të dyja shkojnë bashkë?
Edona Gjosha:
Volejbolli është sport kolektiv, është më ndryshe nga atletika sepse atletika është sport individual, gjë që varet vetëm nga unë. Që të dy sportet më shkojnë mirë dhe nuk ka dallim.

“Bota sot”: A keni rivalitet të madh në shtizë e gjyle?

Edona Gjosha: Sa i përket shtetit tonë, Kosovës, ka konkurrencë, por jo edhe shumë, ndërsa shtetet evropiane ka konkurrent mjaft të madhe, të cilat kanë edhe eksperiencë mjaft të madhe në atletikë.

“Bota sot”: Sa jeni e kënaqur me kushtet sportive?
Edona Gjosha:
Ka filluar që të ketë përparime edhe në këtë degë sa i përket kushteve sportive, po në të ardhmen shpresoj që secili sport të ketë kushte ende më të mira.

“Bota sot”: Përveç me volejboll e atletikë, me çfarë merresh tjetër?
Edona Gjosha:
Unë jam studente në Universitetin e Prishtinës, në Edukimin Fizik dhe Sportiv në vitin e  katërt.

“Bota sot”: Nuk keni më shumë se 21 vjet, a shpresoni se shumë shpejt do të sillni medalje nga rrafshi ndërkombëtar në atletikë?
Edona Gjosha:
Po, shpresoj që në të ardhmen që do të kemi një sukses të madh në këtë disiplinë të atletikës, do të punoj për këtë sukses.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat