Federata Atletike e Kosovës pa asnjë fizioterapeut - Bota Sot
Federata Atletike e Kosovës pa asnjë fizioterapeut

Atletika

E premte, 16 nëntor 2018

Federata Atletike e Kosovës pa asnjë fizioterapeut

Më: 21 tetor 2018 Në ora: 14:36
Ilustrim

Në Federatën Atletike të Kosovës mungojnë mjekët e fizioterapeutët, e lëndimet trupore të atletëve janë të shpeshta, për shkak të natyrës së këtij sporti.

Kështu deklaroi selektori i kombëtares së Kosovës, Zijadin Kryeziu, gjatë garave të krosit që u mbajtën sot në kuadër të Kampionatit të Kosovës në Kros.

Kryeziu, i cili gjithashtu është trajner në klubin atletik “Rogana”, tha se lëndimet e atletëtve kanë ndikuar që ata të mos tregojnë performancat e dëshiruara, por sipas tij, garat kanë shkuar mirë, pavarësisht këtij problemi. Ai u ankua edhe për mungesën e mjekëve në këtë federatë.

Kryeziu: Nuk kemi ndonjë mjek apo fizioterapeut në federatë

“Në përgjithësi kanë ecur mirë, por lëndimet e kanë bërë të veten, duke pasur parasysh se na mungojnë edhe fizioterapeutët edhe mjekët në Federatën tonë nuk kemi ndonjë fizioterapeut apo mjek që prestacionin e Kosovës, kështu që problemet janë evidente, megjithëse kuptohet, është sporti më i vështirë dhe ka ngarkesa jashtëzakonisht të mëdha dhe kur ka ngarkesa të mëdha, priten edhe të ketë lëndime të ndryshme, prej ma të ndryshmeve”, ka thënë Kryeziu.

Ndërkaq, kampioni  Musa Hajdari nga klubi atletik “Rogana”, i cili në këtë garë mori pjesë në kategorinë e seniorëve, tha se përkrahja institucionale nuk është e mjaftueshme. Megjithatë, ai tha se kjo nuk po i pengon për të arritur suksese. Ai tregoi për aktivitetet dhe sukseset e tij këtë vit, dhe njoftoi se po përgatitet që edhe  vitin e ardhshëm të marrë pjesë në gara atletike jashtë vendit.

Hajdari: Përkrahja nuk është e mjaftueshme

“Këtë vit jam fitues i dy medaljeve në kampionat ballkanik, një në sallat e mbyllura në 800 metra dhe një në terren të hapur po ashtu në 800 metra, po ashtu fitues i kampionatit evropian të shteteve në zhvillim që mbahet në Lihtejnshtajn, fitues i medaljes së artë dhe pjesëmarrës në shumë aktivitete tjera në mitingje të atletikës botërore…Përkrahja nuk është e mjaftueshme, mirëpo duke parë rrjedhat e zhvillimet si kanë ndodhë, do të thotë ndër vite, mendoj që kohët e fundit kanë bërë hapa në drejtimin e duhur dhe përkrahja ka filluar të rritet”, ka thënë Hajdari.

Kurse Kadri Kaqanolli, trajner në klubin atletik “Prishtina”, thotë se pavarësisht kushteve jo të përshtatshme atmosferike, të cilat edhe i kërkon ky sport, pjesëmarrja nuk ka munguar. Madje, ai tha se pavarësisht natyrës së sportit, po ka mjaft pjesëmarrje edhe nga grupmoshat e reja.

Kaqanolli: Qëllimi i krosit është që të vrapohet në natyrë në kushte të vështira

“Koha është me shi, ashtu siç e kemi paraparë se për atë edhe quhet kros, qëllimi është që të vrapojmë në natyrë në kushte pak ma të vështira. Klubi atletik “Prishtina” është organizator i këtij krosi bashkë me Federatën Atletike të Kosovës. Pjesëmarrja, edhe pse është gara e fundit, pjesëmarrja është mjaft masovike edhe përkudër kushteve atmosferike që ekzistojnë sot”, ka thënë Kaqanolli.

Gjatë këtij kampionati u mbajtën gara në kros të të gjithave moshave, të ndarë në kategori përkatëse, ku pjesëmarrësi më i ri ishte nëntë vjeçar, kurse më i vjetri 73 vjeçar.

Kurse shtegu në të cilin kanë vrapuar, ka qenë 500 metra deri në 10 kilometra, varësisht prej moshës së atletëve.

Përndryshe, Kampionati i Krosit u organizua nga Federata Atletike e Kosovës në bashkëpunim me klubin atletik “Prishtina”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test