Qytetarët nëpër Evropë po blejnë vetura të vjetra në kohë pandemie për ta evituar transportin publik

Auto

Qytetarët nëpër Evropë po blejnë vetura të vjetra në kohë pandemie për ta evituar transportin publik

Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 12:13
Çmimet, kryesisht për vetura më të vjetra se një dekadë, janë rritur për 25 për qind

Dëshironi një veturë të lirë të përdorur për të bërë xhiro nëpër qytet për të evituar përdorimin e transportit publik në këtë periudhë pandemie? Mirësevini në Pandemic Motors. Mund të gjeni këtu atë që ju duhet.

Nëpër Evropë, njerëzit po marrin vetura të vjetra me synimin për të evituar autobusët dhe trenët, por duke e ditur se nuk është gjë e mençur të shpenzohet në vetura luksoze në këto kohë paqartësie ekonomike.

“Transporti publik është fenomenal këtu, por duke marrë parasysh Covidin dhe gjithë këto gjëra, është më mirë ta evitosh”, thotë Robert Perez, që së fundi është vendosur në Madrid nga Argjentina.

Në kërkim të punës, Perez 33-vjeçar, një inxhinier automobilistik, bleu një Seat Toledo të vitit 2001 me ngjyrë të kuqe për 2000 euro nga OcasionPlus, një firmë spanjolle që merret me shitjen e veturave të përdorura, firmë që ka hapur katër shitore të rreja pasi që kërkesat janë rritur në kohën e pandemisë.

Të dhënat që ka siguruar agjencia Reuters nga firma e hulumtimeve IHS Markit dhe tregu online i veturave AutoScout24, tregojnë një trend në rritje në regjistrimin e veturave të vjetra nëpër Evropë, si dhe rritje të kërkimeve në internet për vetura të vjetra.

Rritja e interesimit për veturat e përdorura dhe të vjetra nuk është lajm i mirë si për rrjetet e transportit publik e as për ambientin, pasi duket se kërkesat për veturat elektrike po bien.

Në aspektin afatgjatë, kjo pritet t’i ndihmojë prodhuesit e veturave, që kanë marrë goditje nga kriza financiare e shkaktuar nga pandemia.

Në Nawaie Motoring në perëndim të Londrës, menaxheri i përgjithshëm Ameen Sultani ka thënë se veturat e vjetra po shiten përfundi 3000 funte dhe është rritur kërkesa për to.

Ai ka thënë se çmimet, kryesisht për vetura më të vjetra se një dekadë, janë rritur për 25 për qind.

“Çdo gjë përfundi 3000 funteve është shitur shumë shpejt dhe shumica i kanë blerë për shkak se duan të evitojnë transportin publik”, ka thënë Sultani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat