Pronari i Volvo 740 që përshkoi 1.6 milion kilometra, fitoi një S60 të ri

Auto

Pronari i Volvo 740 që përshkoi 1.6 milion kilometra, fitoi një S60 të ri

Më: 14 shkurt 2022 Në ora: 19:54
Foto ilustrim

Një pronar krenar me veturën e tij Volvo 740 që përshkoi mbi një milion milje, përkatësisht mbi 1.6 milion kilometra, është shpërblyer për besnikërinë e tij – duke marrë plotësisht falas modelin e ri S60.

Fjala është për Jim O’Shei nga Missouri, i cili nuk e ka ndier nevojën ta ndërrojë veturën për shumë vite. Përkundrazi, ai për më shumë se 30 vite ka në garazhin e tij një Volvo 740 GLE.

Kur e bleu kishte premtuar se do t’i përshkojë një milion milje dhe këtë ia arriti në nëntor të vitit të kaluar. Për besnikëri ndaj këtij brendi suedez, kompania Volvo Cars USA e shpërbleu – i dhuroi një S60 Sedan të ri dhe atë pa pagesë – por për përdorim prej dy vitesh.

Është interesant sesi menaxheri i përgjithshëm i distributorëve Stephen Lynch, është pikërisht personi që ia kishte shitur O’Shei 740 GLE në vitin 1991.

“Jemi të lumtur që kemi arritur të kujdesemi për Jim – duke i dhënë një veturë të re. E ka merituar, nuk mund të jemi më të lumtur për të”, tha Lynch.

Në një periudhë prej dy vitesh, Jim do të vozit veturën e re – e do t’i paguhen të gjitha – nga mirëmbajtja e deri te sigurimi.

O’Shein kurrë nuk ishte përfshirë në ndonjë aksident trafiku me 740 GLE, përveç se gruaja e tij e kishte “gërvishtur” disa herë në oborrin e shtëpisë.

Motori origjinal i ishte ndërruar pasi kishte përshkuar 941.466 kilometra, e u ndërrua edhe ndërruesi. Volvo mban rekordin për kilometra të përshkuara me P1800 i prodhuar në vitin 1966, që i kaloi 5.3 milionë kilometra. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat