Vetura e parë serike me energji solare, mund të vozitet me muaj të tërë pa pasur nevojë të mbushet

Auto

Vetura e parë serike me energji solare, mund të vozitet me muaj të tërë pa pasur nevojë të mbushet

Më: 13 qershor 2022 Në ora: 21:19
Foto ilustrim

Kompania holandeze Lightyear ka prezantuar siç pretendon, veturën e parë solare në botë – duke u shprehur haptazi se janë të gatshëm për prodhim serik.

Model Lightyear 0 është një limuzinë familjare që ka pesë metra katrorë panele solare, që mund të gjenerojnë energji të mjaftueshme për 70 kilometra vozitje në ditë.

Kompania holandeze me 500 punonjësit ka arritur marrëveshje me më shumë se 100 kompani furnizuese, dhe synon të fillojë prodhimin e kësaj veture elektrike me energji solare.

Kjo limuzinë elektrike përveç paneleve solare, ka bateri që i mundëson një autonomi prej 560 kilometra vozitje, me një shpejtësi prej 110 kilometra në orë – madje edhe atëherë kur nuk ka diell.

Është një shifër premtuese; gjatë testimit WLTP, Lightyear 0 ka pasur një rreze veprimi prej 625 kilometra, që është afro 4 për qind më shumë sesa Tesla Model 3 Long Range AWD.

Kjo kompani pretendon se ka zhvilluar motorin me efikas elektrik dhe se këto të dhëna për autonominë mbështeten në baterinë me kapacitet prej 60 KWh. E në anën tjetër Tesla Model 3 Long Range AWD ka një bateri prej 82 kWh.

Ky rezultat është arritur pjesërisht falë rezistencës më të vogël të erërave. Prodhuesi holandez thekson se koeficienti i rezistencës së erës është 0.19, që modelin Lightyear e bën veturën familjare më aerodinamike që ndonjëherë të jetë prodhuar.

Autonomia e shkëlqyeshme është si rezultat i gomave të zhvilluara nga Bridgestone të dizajnuara për të zvogëluar fërkimin.

Kësaj veture i nevojiten vetëm 10 sekonda që shpejtësinë nga 0-100 kilometra në orë ta arrijë, kurse maksimalja është e kufizuar në 160 km/h.

E nëse e krahasojmë me Tesla, Model 3 Long Range AWD i nevojiten 4 sekonda që shpejtësinë nga 0-100 kilometra në orë ta arrijë, kurse maksimalen e ka gjithashtu të kufizuar në 233 km/h.

Gjatë ditëve me diell të verës, Lightyear mund të kalojë deri në 70 kilometra pa pasur nevojë për mbushje të baterisë. E nëse i shtojmë mbushjen e baterisë, prodhuesi pretendon se nëse udhëtimi i juaj ditor është 50 kilometra, vetura mundet me muaj të tërë të lëviz – duke përshkuar mijëra kilometra para se të ketë nevojë bateria të mbushet.

Sa i përket brendësisë, vetura ka pesë ulëse, hapësirë të mjaftueshme në bagazh dhe një enterier “vegan” i prodhuar nga lëvorja e bimëve dhe shishet e ricikluara. Aty natyrisht se është edhe ekrani i ndjeshëm në prekje, me një diagonale prej 10.1-inç ku brenda tij është sistemi multimedial dhe navigacioni.

Holandezët thonë se do të prodhojnë vetëm 946 njësi që do të shiten me një çmim prej 250 mijë euro, e me pranimin e porosive do të fillojnë nga nëntori. Prodhimi i kësaj veture pritet të fillojë në vitin 2025. 

Image
Image
Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat