Shiu i madh shemb digën në Indi, vdesin 11 persona - Bota Sot
Shiu i madh shemb digën në Indi, vdesin 11 persona

Azia

Shiu i madh shemb digën në Indi, vdesin 11 persona

Më: 3 korrik 2019 Në ora: 14:49
Foto ilustrim

Zyrtarët qeveritarë të Indisë njoftuan se reshjet e mëdha të shiut e kanë shkaktuar shembjen e një dige në pjesën perëndimore të këtij shteti, duke bërë që shumë shtëpi të mbulohen nga uji. Në këtë incident kanë vdekur së paku 11 persona, ndërsa 13 të tjerë janë shpallur të zhdukur.

Reshjet sezonale të shiut e dëmtuan rëndë qendrën financiare të Mumbait javën e kaluar, duke shkaktuar probleme në qarkullimin e trenave dhe fluturimet e aeroplanëve në qytetin me 18 milionë banorë, ndërsa nga shembja e mureve e humbën jetën më shumë se 30 persona.

Shembja e digës “Tiware” në rajonin bregdetar të Ratnagirit, rreth 275 kilometra në jug të Mumbait, bëri që dhjetëra shtëpi të shemben. Lajmin e bëri të ditur një zyrtar i qeverisë provinciale të Maharashtras.

Ai tha se autoritetet i kanë nxjerrë 11 trupa të njerëzve nga rrënojat, ndërsa janë duke i vazhduar kërkimet për 13 persona të tjerë, të cilët janë zhdukur. Sidoqoftë, ky zyrtar shtoi se gjasat që ata të gjenden të gjallë janë mjaft të vogla.

Banorët e rajonit ku ishte e ndërtuar diga e shembur kishin bërë ankesa muaj më parë pasi kishin vërejtur që në murin e saj ka plasaritje dhe organet shtetërore kishin ndërhyrë me disa riparime.

Gjatë secilës periudhë të reshjeve, e cila në Indi fillon në qershor dhe përfundon në shtator, vendi përballet me incidente fatale të shembjes së ndërtesave për shkak se shiu i lëkund themelet e strukturave që janë kryesisht të ndërtuara me cilësi të dobët, shkruan “Reuters”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat