Një milion të zhvendosur shkaku i vërshimeve në Indi, dy të vdekur

Azia

Një milion të zhvendosur shkaku i vërshimeve në Indi, dy të vdekur

Më: 29 qershor 2020 Në ora: 13:37
Indi

Vërshimet e mëdha, të shkaktuara nga reshjet sezonale, i kanë detyruar më shumë se një milion njerëz që të zhvendosen nga shtëpitë e tyre në rajonin verilindor indian, Asam, bënë të ditur autoritetet shtetërore.

Lumi Brahmaputra, që është një nga më të mëdhenjtë në botë dhe që rrjedh nga Tibeti drejt Indisë dhe Bangladeshit, doli nga shtrati në Asam gjatë fundjavës, duke i vërshuar mbi 2,000 fshatra. Reshjet janë duke vazhduar edhe të hënën, shkruan “Reuters”.

“Dy njerëz kanë vdekur në dy incidente të ndryshme të fundosjes gjatë 24 orëve të kaluara dhe më shumë se një milion njerëz janë prekur, situata e vërshimeve po bëhet kritike orë pas ore”, thuhet në një buletin qeveritar.

Reshjet e mëdha të shiut i kanë përfshirë së paku 23 nga 33 distriktet e Asamit dhe institucionet përgjegjëse për burimet e ujit thanë se niveli i ujit në lumin Brahmaputra pritet të rritet, sepse meteorologët kanë parashikuar reshje të reja gjatë tri ditëve të ardhshme.

Asami, rajon i famshëm për plantacionet e çajit, goditet nga vërshimet sezonale çdo vit, duke i detyruar autoritetet qendrore dhe lokale që të shpenzojnë miliona rupi për kontrollimin e vërshimeve.

Forcat paramilitare janë angazhuar në këtë rajon për t’u siguruar që njerëzit janë duke e respektuar distancën sociale në qendrat e strehimit shkaku i koronavirusit. Deri më tani, në Asam janë regjistruar 7,492 persona të infektuar dhe 11 viktima.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat