Lillard mban në lojë Blazers - Bota Sot
Lillard mban në lojë Blazers

Basketboll

Lillard mban në lojë Blazers

Më: 14 gusht 2020 Në ora: 11:50
Lillard mban në lojë Blazers

U luajtën gjashtë takimet radhës në NBA, në të cilat pritej të jepeshin verdiktet e fundit të sezonit të rregullt. Gjithçka shkoi brenda pritshmërive me fitoret e Portland Trail Blazers dhe Memphis Grizzlies, me këta të fundit që pas disa javëve në ferr duhet të falënderojnë Milwaukee Bucks, që nuk u impenjuan shumë, duke e patur mendjen tashmë në play off. Eliminohen Phoenix Suns dhe San Antonio Spurs.

Portland Trail Blazers arritën të triumfonin në frymën e fundit ndaj Brooklyn Nets me rezultatin 134-133. Në këtë përballje të ekuilibruar diferencën e bëri Damian Lillard, që realizoi plot 42 pikë dhe dha 12 asiste, ndërsa në rdhët e Nets spikati me 37 pikë Caris LeVert, që gjithsesi gaboi në gjuajtjen e fundit, që do të mund të siguronte fitoren e skuadrës së tij.

Për Blazers, që e mbyllën sezonin e rregullt në vendin e tetë në Perëndim, do të mjaftojë një fitore në dy përplasjet me Grizzlies për të vijuar më tej sezonin.

Memphis, që shpërdori një avantazh të madh ndaj rivalëve me humbjet e javëve të fundit, vijon mrekullisht rrugëtimin, falë suksesit 119-106 ndaj Milwaukee Bucks, me këta të fundit që kursyen energjitë, duke mos aktivizuar disa nga elementët kryesorë të skuadrës, ndërsa Giannis Antetokounmpo, për fatin e mirë të Grizzlies, ishte i skualifikuar. Spikati me 31 pikë Dillon Brooks, pa harruar ndihmën e jashtëzakonshme të Jonas Valanciunas, që e mbylli takimin me “triple double”: 26 pikë, 19 “rebound” dhe 12 asiste.

Shpresuan deri në fund Phoenix Suns, që patën një ecuri të pabesueshmë në këtë rikthim të NBA-së pas ndërprerjes. Skuadra nga Arizona triumfoi 128-102 ndaj Dallas Mavericks, por për të shkuar në play off i nevojitej edhe suksesi e Brooklyn Nets ndaj Blazers, i cili nuk erdhi.

San Antonio Spurs u mposhtën 118-112 përballë Utah Jazz, me teksanët që dështojnë të luajnë në play off pas kualifikimit në 22 edicione radhazi.

Në takimet e tjera kishte pak interes. Boston Cetlics “pushuan” ndaj Wizards, duke u mposhtur 96-90, ndërsa Los Angeles Lakers e hoqën këmbën nga gazi, duke u dorëzuar 136-122 ndaj Sacramento Kings.

Rezultatet:

Boston Celtics – Washington Wizards 90-96

Los Angeles Lakers – Sacramento Kings 122-136

Memphis Grizzlies – Milwaukee Bucks 119-106

Phoenix Suns – Dallas Mavericks 128-102

Utah Jazz – San Antonio Spurs 118-112

Brooklyn Nets – Portland Trail Blazers 133-134

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat