Pesë lojtarë të klubit basketbollistik, Peja, doktori i klubit dhe trajneri i klubit të madh kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.
KB Peja para pak orësh ka njoftuar se pesë lojtarë të klubit të tyre kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, me ç’rast FBK ka vendosur që dy xhirot e radhës të Prince Caffe Superligës së Kosovës të shtyhen për më vonë.
Media mësojnë se Dardan Berisha, Amel Kuljuhovic, Robert Cartwright, Albin Berisha dhe Valtrim Kastrati janë lojtarët e infektuar me COVID-19 tek KB Peja, ndërkohë janë infektuar edhe doktori, Mazllom Jevriqi dhe trajneri Edi Dzelalija.
Ndërkohë, basketbollistët e kombëtares së Kosovës janë izoluar dhe do të rrinë të bashkuar para ndeshjes me Sllovakinë në Bratislavë.
Basketbollistët e Kosovës janë testuar sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, derisa rezultatet do të dalin nesër.
Megjithatë, media raporton se Dardan Berisha është i prekur me COVID-19 dhe tashmë mbetet të shihet nëse do të testojë negativ para ndeshjes së ardhshme.
Kombëtarja e Kosovës në basketboll do të luajë në Bratisllavë ndaj Sllovakisë me 26 nëntor, në kuadër të kualifikimeve të Kupës së Botës.