Përfaqësuesja e Kosovës U18 në basketboll është kampione e Evropës në Divizionin C.
Me një paraqitje të jashtëzakonshme, angazhim të pashoq dhe mbështetje të madhe nga tribunat, Kosova ka arritur të mposht Kombëtaren e Qipros me rezultat 73-64 në ndeshjen e zhvilluar në ‘Pallatin e Rinisë’ në Prishtinë.
Djemtë e talentuar të Kosovës, kishin një pjesë të parë të paharruar, të cilën e mbyllën me epërsi prej 19 pikëve, me rezultat 39:20.
Në pjesën e dytë, qipriotët tentuan të përmbysin rezultatin, por ishte e pamundur përpara Kosovës që mbrohej mirë dhe tregohej efikase në sulm.
Ky sukses është i madh për Kosovën, që në Kampionatin Evropian të radhës do të jetë pjesë e Divizionit B, ku do të luajë përballë kombëtareve shumë cilësore.