Ky është kampioni i ri i Kosovës në streetball - Bota Sot
Ky është kampioni i ri i Kosovës në streetball

Basketboll

Ky është kampioni i ri i Kosovës në streetball

Më: 26 gusht 2018 Në ora: 12:36
Pamje nga një ndeshje

Skuadra “Depërtejshën” me kapiten Egzon Gjurkën, Arti Hajdarin, Blend Matoshin dhe Beqë Kovaçin janë kampionët e ri të streetballit të Kosovës. Ata në finalen e Superfinales së Z Mobile Streetball Kosova 2018, mposhtën nënkampionen e vitit 2016, Air Force One me rezultat 22:15. Kështu, Altin Sahiti, Albatrit Berisha dhe Qëndrim Ajazaj, të përforcuar nga fluturuesi gjilanas, Arian Memeti, në tentimin e tyre të dytë për t’u bërë kampion Kosove në 3x3, sërish nuk ja arritën sepse Air Force One hasi në pengesën e madhe të quajtur Depërtejshën e cila pas lëndimit të Beqë Kovaçit vazhdoi me tre lojtarë, deri në fund.

Në fakt, Air Force One dhe Depërtejshën që para fillimit Superfinales konsideroheshin si një ndër  katër skuadrat favorite për ta fituar turneun e të shtunës, u ndeshën në ndeshjen e xhiros së tretë të fazës së grupeve (Grupi A) dhe aty triumfoi Air Force One me rezultat maksimalisht minimal 16:15.  Por, ajo që do të mbahet në mend më tepër është fitorja në finalen e Superfinales.  

Depërtejshën erdhi deri tek titulli i kampionit pasi luajti më mençur dhe konkretizoi 80% të  gjuajtjeve nga gjysmëdistamca dhe afërsia, sidomos me depërtimet e pandalshme të Arti Hajdarit. Ndërkaq, bomberi nga distanca në këtë takim ishte Egzon Gjurkaj i cili realizoi 4 dyshe, prej tyre ate të fundit dhe vendimtare e cila solli trofeun e çmueshëm dhe titullin e kampionit të sivjetmë.

Se Depërtejshën nuk po mahitet e dëshmoi edhe Blend Matoshi i cili menjëherë në start të lojës, me dyshen e saktë pas vetëm 20 sekondave e kaloi ekipin e tij në epërsi. Megjithatë , Air Force One të cilët në këtë takim hynë si favorit për ta fituar komplet turneun , u mbajtën vetëm në 5 minutat e para kur rezultati ishte i niveluar. Ndërkohë, në skenë doli Egzoni i cili jo vetëm se bombardoi nga distanca por edhe me depërtimet e tij krijoj pasiguri te mbrojtja rivale dhe 6 here asistoi për pikët e bashkëlojtarëve të tij. Ndeshja u thye , diku kah mesi i minutës së 7, kur Depërtejshën  hyri në seri prej 7-0, për të kaluar në avantazh prej 20:13. Në këtë seri, Qëndrim Biraj u përgjigj me dyshe por nga ana tjetër, kapiteni i ekipit dhe veterani pejan i basketbollit, Egzon Gjurkaj lansoi dhe qëlloi dyshe për fitore dhe stolisje me medalje të artë, Kupë dhe çekun prej 800 eurove.

Finalja e Z Mobile Streetball Kosova 2018 ishte një nga top 3 finalet më të bukura në histori të Streetballit Kosovar dhe definitivisht edhe më korrektja.

Deri në finale, Depërtejshën erdhi duke mposhtur skuadrat nga Ferizaj dhe Gjilani, por pësoi disfatë nga Air Force One, në ndeshjen vendimtare të grupit B dhe zuri vendin e dytë. Në gjysmëfinale, Depërtejshën eliminoi nënkampionen e edicionit të kaluar, skuadrën Shmekat,  e cila luajti me Qëndrim Birajnë, Ujkan Karanezin, Altin Morinën dhe Urim Zenelajnë . Këtë duel Depërtejshën e filloi me një seri prej 5 dysheve rresht kurse Shmekat u përgjigjën me pikë të realizuara nga depërtimet e lojtarëve fundor dhe loja e mirë pozicionale e Urim Zenelajtë nën kosh. Por, bombardimet nga gjitha pozitat për dy pikë, nga komplet treshja pejane e bëri të veten

Në fund të garave të Grupit A, Air Force One doli e para , Depërtejshëh e Dyta, Ultras në pozitën e katërt dhe Bill Clinton në pozitën e katërt dhe të fundit. Kështu, dy skuadrat e para gjysmëfinaliste ishin AF1 dhe Depërtejshën.

Nga ana tjetër, Grupi B i Super-finales së sotme ishte një ndër grupet më interesantë dhe dramatike në histori të Streetballit Kosova. Në xhiron e tretë dhe të fundit të këtij grupi, skuadra Missini Sweets nga Mitrovica hyri me dy fitore dhe si favorite kryesore për kualifikim në finale pasi që Shmekat dhe Edhe Ne Jemi Kosovë kishin nga një fitore e humbje, kurse Missini Sweets i cili ishte ndoshta edhe favoritë për ta fituar komplet kampionatin, pasi që do të takohej me Edhe ne Jemi Kosovë , skuadrën që të gjithë e konsideronin si autsajdere por në fund iu doli “arrë e fortë”.

Në ndeshjen e parë të xhiros së fundit të Grupit B, Shmekat e mposhtën Katërshen (21:12) kurse befasisht, Edhe Ne jemi Kosovë mposhti Missini Sweets me rezultat të thellë 21:10, duke e bërë renditjen tabelare tejet dramatike. Pas këtyre rezultateve në rrethin e fundit të Grupit B, tri skuadra kishin sukses të njëjtë: 2 fitore e 1 humbje.

Sipas rregullave të FIBA 3x3 ku renditja tabelare përcaktohet fillimisht nga numri i fitoreve dhe humbjeve dhe pastaj, nëse ato janë të barabarta nga numri i më shumë koshave të shënuar. Kështu, Shmekat me 60 pikë të shënuara zunë pzoitën e parë kurse Edhe Ne Jemi Kosovë me 51 pikë të shënuara u kualifikua në gjysmëfinale, duke eliminuar Missini Sweets që kishte 47 pikë.

Në gjysmëfinale, Air Force One luajti kundër Edhe ne Jemi Kosovë dhe Shmekat kundër  Depërtejshën. Të dyja gjysmëfinalet ishin interesante dhe të niveluara pothuaja gjatë tërë kohës. Në fund, nënkmapionët e vitit 2016, Air Force One eliminoi ekipin Edhe Ne jemi Kosovë me rezultat 21:14,për t’u bërë finalisti i parë. Më pas, nënkampionët e vitit të kaluar, Shmekat u mposhtën nga Depërtejshën me 21:16 duke aranzhuar finalen e Superfinales së Z Mobile Streetball Kosova 2018: Air Force One – Depërtejshën.       

Para finales , publiku në Sheshin Zahir Pajaziti pati mundësi të kënaqet me garën “SPRITE Slam Dunk Contest” apo “SPRITE gara për ngulitjen më të bukur”

Arbër Shala, Kreshnik Bërnica dhe Arian Memeti ishin tre garuesit e paraqitur për këtë garë, kurse në fund, duke i falënderuar ngulitjes fantastike të prekjes së tabelës me top pastaj ngulitjes, si dhe Mullirit të Erës, Arian Memeti mbledhir duartrokitjet më të mëdha dhe u shpal fitues.

Pas kësaj gare, para ndeshjes finale, u zhvillua edhe ndeshja revyale e vajzave nga Gjakova dhe Peja, për konincidencë sikurse finalja e këtij turneu ku do të takoheshin fituesi i Gjakovës ( Air Force One) dhe ai i Pejës (Depërtejshën).

Në një ndeshje me ritëm të lartë dhe përplot me lëvizje atraktive, rezultati vazhdimisht ndërronte anë , sidomos në 2 minutat e fundit. Kështu ndodhi edhe në 7,5 sekondat e fundit kur ekipi Dallat e Pejës shënoi njëpikësh për të kaluar në epërsi prej 15:14 por në sekondën e fundit të ndeshjes, Rina Hoda lansoi projektimin e saktë nga distanca duke qëlluar dyshe dhe me sinjal përfundimtar i solli Gjakovareve fitoren me rezultat 16:15.

Si tham në fillim, ishte kjo një finale e shpejtë me shumë intensitet dhe shënime të shpejta të pikëve. Thjeshtë thënë ishte finale me ritëm atomik, në fund të së cilës, Egzon Gjurkaj shënoi dyshen për rezultatin final 22:15.

Krejt në fund, shpërblimet për fituesit i shpërndau Ministri i Kulturës Rinisë e Sportit të Kosovës, Kujtim Gashi. 

Me Superfinalen e sotme të Z Mobile Streetball Kosova 2018 u përmbyll edicioni i 19-të i Kampionatit të Republikës së Kosovës në Streetball.

Kështu  pas 1000 kilometrave e të kaluara në 7 qytete , për të organizuar turnetë kualifikues, si  dhe 2 ngjarjeve të mëdha të organizuara në Prishtinë, turneun internacional dhe këtë superfinale, Shoqata e Streetballit të Kosovës anëtare e FBK dhe FIBA 3x3, përmbylli aktivitetet e veta për sivjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...