Kosovën e lëshoi përqendrimi në fund, humb nga rumunët

Basketboll

Kosovën e lëshoi përqendrimi në fund, humb nga rumunët

Nga: Kemajl Goca Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 18:58
Pamje nga ndeshja e sotme, Foto FIBA

Çerekët e fundit kanë qenë të kobshëm për kombëtaren e Kosovës, e cila mposhtet më Oradea me rezultat 88:83 (14:17, 21:18, 24:18, 29:30) nga Rumunia, në ndeshjen e vlefshme të grupit B të kualifikueseve për Eurobasket 2021.  Kosova ishte shumë afër fitores, por në pesë minutat e fundi i lëshoi përqendrimi dhe rumunët e shfrytëzuan për mrekulli.

Në minutën e 32-të, Kosova ishte në epërsi me 3 pikë (62:65), por gjithçka u përmbys në minutat vijues, ku basketbollistët rumunët ishin më të saktë, duke iu gëzuar fitores së parë pas humbjes nga Maqedonia, kurse Kosova regjistroi humbjen e dytë në grup. Sikurse djelmoshat tanë të ishin me syçelë do të ktheheshin me fitore nga ky udhëtim, për faktin se rumunët nuk treguan ndonjë lojë aq të mirë, duke bërë gabime të shumta, sidomos në gjuajtjet për tre pikë.

Ndeshje me rivalitet deri në fund, por edhe me gabime të shumta qoftë të njërës palë dhe skuadrës tjetër. Fillimisht rumunët avancuan me 1:0 (nga gjuajtja e lirë), pastaj me 3:0, por Dardan Berisha prej më të mirëve, shënon për 3:2 dhe Kosova kalon në epërsi me 3:4, 3:6 në minutën e 3-të. Vendasit barazojnë rezultatin 6:6, duke u rritur rivaliteti.

Image

Çereku i parë i takoi Kosovës, e cila ishte në epërsi me 3 pikë (14:17).  Çereku i dytë ka qenë interesant, Kosova shkëputet në epërsi me 7 pikë (21:28) në minutën e 15-të. Megjithatë vendasit pas një angazhimit të madh, por edhe gabimeve të tanëve kaluan në epërsi me 35:34 në minutën e 20-të, duke përfunduar pjesëloja e parë me rezultat 35:35.

Image

Çereku i tretë ju ka takuar rumunëve, ku avancuan me 6 pikë (55:49) në minutën e 29-të, por kjo aspak nuk i dekoncentroi djemtë tanë, por rikthyen epërsinë. Së pari ngushtuan rezultatin në 59:58 dhe pastaj avancuan me një pikë (59:60) dhe edhe me tri (59:62) në minutën e 32-të.

Image

Në minutat vijues bie përqendrimi te Kosova dhe rumunët e shfrytëzuan më së miri. Watson ka qenë prej më të dalluarve me 19 pikë dhe më i merituari për fitoren e Rumanisë. Çastet e fundit kanë qenë tejet dramatike, por Kosovës i rrëshqet fitorja nga duart nga disa gabime që bënë. Rumunia ngadhënjeu me pesë pikë dallim (88:83) dhe tani është në vend të dytë me 3 pikë, ka një me pak se lideri Maqedonia dhe një më shumë se Kosova në fund të renditjes. 

Te Kosova, Lis Shoshi ka qenë më efikasi me 29 pikë, i ndihmuar nga Dardan Berisha me 24, Gëzim Morina 22. Të dielën e 2 dhjetorit (17.45), Kosova luan në konak të Maqedonisë dhe pretendon rezultat të favorshëm.  

Rumania-Kosova 88:83

Palestra e sportit në Oradea.

Shikues: 2000.

Gjyqtarë: Ventsislav Velikov (Bullgaria), Serkan Emlek (Turqia) e Sergii Tyslenko (Ukraina).

Rumania: Dragoste 13, Kuti 13, Olah 15, Torok 9, Watson 19, Baciu 5, Diaconescu, Diculescu, Gheorghe 2, Paliciuc 10, Popa dhe Virna 2.

Kosova: Berisha 24, Bunjaku, Mekaj 3, G. Morina 22,  Shoshi 29, Grosha, Ismajli, Janjeva, A. Morina 2, F. Rugova 3, Shehu, Ukaj.  

Grupi B

1. Maqedonia       2      2      0      4

2. Rumania   2      1      1      3

3. Kosova       2      0      2      2

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat