Presidenti amerikan, Donald Trump theksoi sot se takimi i tij i ardhshëm me presidentin kinez, Xi Jinping mbi konfliktin tregtar mes dy vendeve do të jetë një samit për nënshkrimin e një marrëveshjeje.
“Do të kemi një samit për nënshkrim (…) Shpresojmë t’ia dalim. Ne jemi shumë, shumë pranë një marrëveshje”, deklaroi nga Shtëpia e Bardhë Trump, që javën e kaluar kishte folur për muajin mars.
Të dielën, pas gjashtë ditësh bisedimesh mes dy fuqive të para ekonomike botërore, presidenti amerikan, duke theksuar se progrese të konsiderueshme ishin realizuar gjatë bisedimeve, shtyu datën e 1 marsit pas të cilës Uashingtoni kishte vendosur të rriste taksat doganore shtesë mbi importet kineze. /ATSH