Parlamenti i Britanisë voton për BREXIT-in

Bota

Parlamenti i Britanisë voton për BREXIT-in

Më: 12 mars 2019 Në ora: 14:39
Foto ilustrim

Parlamenti i Britanisë filloi të martën seancat për të votuar lidhur me vendimin për largimin e vendit nga Bashkimi Europian, apo BREXIT siç njihet ndryshe.

Në një votim të parë, ekipi i ministrave kryesorë të kabinetit e mbështeti kryeministren Theresa May, pas sigurimeve që ajo mori të hënën nga Bashkimi Europian për marrëveshjen.

Anëtarët e Parlamentit do të votojnë lidhur me variantin më të fundit të planit të paraqitur nga kryeministrja, bazuar tek një marrëveshje që qeveria e saj arriti me Bashkimin Europian vitin e kaluar.

Të hënën, zonja May shkoi në Strasburg, për bisedime me Presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, në një përpjekje të fundit për të siguruar disa ndryshime të marrëveshjes, e cila është kritikuar nga kundërshtarët e saj.

Kryeministrja May tha se zoti Juncker foli për disa “ndryshime ligjore të detyrueshme”, të cilat trajtojnë pjesërisht çështjen kyç të marrëveshjes për kufirin e Irlandës së Veriut dhe Irlandës, një vend anëtar i BE-së.

Zoti Juncker paralajmëroi se Britania nuk ka alternativa të tjera për shkëputjen, që është caktuar për më 29 mars.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat