Kush është themeluesi i WikiLeaks i arrestuar në Londër: Çfarë bëri ai, pse u arrestua dhe si i kaloi 7 vitet në azil politik

Bota

Kush është themeluesi i WikiLeaks i arrestuar në Londër: Çfarë bëri ai, pse u arrestua dhe si i kaloi 7 vitet në azil politik

Më: 12 prill 2019 Në ora: 00:30
Julian Assange, themeluesi i WikiLeaks, brenda Ambasadës Ekuadoriane në vitin 2016.

Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, është arrestuar të enjten në ambasadën e Ekuadorit në Londër.

Programuesi kompjuterik kishte marrë strehim brenda ambasadës që nga viti 2012 për të shmangur ekstradimin në Suedi lidhur me veprat seksuale.

Por sot Ekuadori i tërhoqi të drejtën e azilit.

Sipas mediave të huaja, 47-vjeçari tani është “në paraburgim policor dhe përballet me drejtësi në Britani të Madhe”, sipas Sekretarit të Shtetit, Sajid Javid.

Por kush është Julian Assange

Julian Assange është një programues kompjuteri nga Townsville, Queensland, Australi.

Ai ndoqi Universitetin Qendror të qytetit, ku studioi programim, matematikë dhe fizikë.

Ai themeloi WikiLeaks në vitin 2006, grupi anti-sekret i cili vë në dukje punët e brendshme të qeverive, marrëveshjeve ushtarake dhe tregtare në të gjithë globin.

Në kohën që filloi aktivitetin, WikiLeaks ishte drejtuar nga jashtë Suedisë për shkak të ligjeve të anonimitetit të vendit.

Assange jep një seminar në Konfederatën e Sindikatave të Suedisë në gusht 2010 (Bertil Ericson/Agjencia e Lajmeve TT)

Assange është një haker, një avokat për lirinë dhe informacionin – dhe e konsideron veten si një refugjat politik.

Ai ka një ish-grua me emrin Teresa, me të cilën u martua kur ishte në adoleshencë.

Në vitin 1989 ata kishin një djalë të quajtur Daniel, i cili tani është një dizajner softwari.

Çfarë bëri Julian Assange

Ndërsa ishte në një konferencë në Suedi në gusht 2010, Assange thuhet se u takua dhe pati marrëdhënie seksuale me dy gra.

Ato më vonë e akuzuan për përdhunim dhe ngacmim, dhe më pas u mor në pyetje, por kurrë nuk u akuzua për pretendimet. Ai gjithashtu i ka mohuar pretendimet.

Megjithatë, Interpol lëshoi një “Njoftim të Kuq” për arrestimin e tij në nëntor të vitit 2010, dhe ai u dorëzua në Londër një javë më vonë.

Assange u paraqit para një gjyqtari në Westminster, dhe mbështetësit e tij paguan 240,000 funte për dorëzani.

Pastaj në qershor të vitit 2012 prokurorët suedezë kërkuan që ai të ekstradohet, por avokatët e tij e kundërshtuan këtë.

Ditë më vonë ai kërkoi azil në Ekuador në ambasadën në Knightsbridge, Londër.

Image
Assange në një adresim për mediat në shkurt të vitit 2016 (Yui Mok/PA)

Hakerit iu dha azil politik në gusht të vitit 2012 dhe ambasada ekuadoriane tha se mund të qëndronte aty për aq kohë sa dëshironte.

Gjërat u vështirësuan në shkurt të vitit 2018 kur një gjykatë në Westminster vendosi të mbështeste urdhrin e arrestimit të Scotland Yard.

Vendimi do të thoshte që nëse ai do të shkonte jashtë ndërtesës së ambasadës, ai mund të përballej me arrestimin dhe ekstradimin.

Në mars të vitit 2018, Ekuadori mbylli komunikimet e hakerit me botën e jashtme. Kjo, siç thuhet, për shkak se ai kishte shkelur marrëveshjet që ai kishte bërë me vendin vitin e kaluar.

Në korrik të të njëjtit vit, presidenti i Ekuadorit tha se duhej të largohej përfundimisht nga ambasada.

Pse është arrestuar Julian Assange

Tani Policia Metropolitane pohon se ai u arrestua për mos dorëzimin në gjykatë në vitin 2012.

Assange kishte refuzuar të largohej nga ambasada, duke pretenduar se do të ekstradohej në SHBA për t’u marrë në pyetje mbi aktivitetet e Wikileaks.

Ndryshe, në SHBA, prokurorët federalë po hetojnë organizatën ndërkombëtare jo-fitimprurëse e cila publikon informacione sekrete.

Si i kaloi vitet e tij në ambasadën e Ekuadorit në Londër

Ekuadori shpenzoi mbi 6 milionë dollarë në shpenzimet për të vendosur themeluesin e WikiLeaks, Julian Assange, në ambasadën ekuadoriane në Londër, tha të enjten Ministri i Jashtëm, José Valencia për Asamblenë Kombëtare të Ekuadorit.

Siç është bërë e ditur, përcjell Telegrafi, Ekuadori shpenzoi më shumë se 5.800.000 dollarë në shpenzimet e sigurisë nga qershori 2012 deri në shtator 2018 dhe rreth 400.000 dollarë në shpenzimet mjekësore, ushqimore, lavanderi dhe ligjore për Assange, tha Valencia.

José Valencia zbuloi edhe të tjera detaje rreth sjelljes së themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange, ndërsa ai jetonte në ambasadën e Ekuadorit në Londër.

Valencia u tha ligjvënësve se shëndeti fizik dhe mendor i Assange ishte “seriozisht në rënie” pasi kishte jetuar brenda ambasadës për gati shtatë vjet dhe se perspektiva e mbajtjes së tij në ambasadë për një kohë të pacaktuar do të kishte rritur rrezikun që shëndeti i tij të përkeqësohej më tej.

Ai gjithashtu shtoi se sjellja e Assange ishte “agresive” dhe kishte “praktika të papërshtatshme higjienike”.

Duke folur në Asamblenë Kombëtare të vendit, Valencia tha se Assange kishte luajtur futboll në ambiente të mbyllura dhe kishte fyer stafin e ambasadës. Ai gjithashtu tha se Assange përdorte altoparlantë me zë të lartë në orën 1:30 të mëngjesit.

Assange u përpoq gjithashtu të bllokonte kamerat e sigurisë brenda ambasadës dhe se kishte përdorur një telefon celular që nuk ishte regjistruar në ambasadë.

Madje, ministrja e Brendshme, Maria Paula Romo, e akuzoi atë për njollosjen e mureve të ambasadës me jashtëqitje.

Ndryshe, siç kanë raportuar mediat, shtatë oficerë u desh të vepronin brenda, përpara se ta nxirrnin atë nga dera e hyrjes së ambasadës dhe ta çonin drejt një furgoni policor.

Policia u lejua të futej në ambasadë pasi qeveria ekuadoriane tërhoqi azilin e tij, duke fajësuar ndërhyrjen e tij në çështjet ndërkombëtare dhe duke qenë i paqëndrueshëm ndaj stafit të ambasadës.

Në një deklaratë të ashpër, presidenti Lenin Moreno akuzoi Assange se kishte shkelur kushtet e azilit të tij duke “ndërhyrë në punët e brendshme të shteteve të tjera”, si dhe duke “bllokuar kamerat e sigurisë” dhe duke “keqtrajtuar rojet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat