Franca përgatitet për grevë të përgjithshme

Bota

Franca përgatitet për grevë të përgjithshme

Më: 5 dhjetor 2019 Në ora: 10:44
Foto Ilustrim

Franca po përgatitet për një grevë masive që përfshin miliona punëtorë për të protestuar ndaj planeve për shtyrjen e pensionit dhe ulje të pensioneve.

Greva e përgjithshme do të përfshijë shkollën dhe stafin e trafikut, avokatët, stafin mjekësor, stafin e aeroportit dhe të tjerët, raporton BBC.

Greva më masive e viteve të fundit në Francë është organizuar nga sindikatat e pakënaqura me planet e presidentit Emmanuel Macron për një skemë universale pensionesh.

Greva pritet të fillojë të enjten, me disa drejtues të sindikatës që kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë grevën e saj derisa Macron të anulojë njoftimin e tij për një ndryshim në sistemin e pensioneve.

Sipas një sondazhi, mbështetja e publikut për grevën është 69 për qind, dhe është më e fortë në mesin e të rinjve nga 18-34 vjeç.

Administrata e Macron shpreson të shmangë përsëritjen e një greve të përgjithshme për një reformë pensioni në 1995 që ndërpreu tre javë trafikun ajror dhe mori një mbështetje masive të publikut, duke detyruar qeverinë të bëjë ndryshime.

Ministri i Brendshëm, Christophe Castaner tha përpara grevës se ai pret gati 250 mitingje proteste në të gjithë vendin, për të cilat ai thotë se mund të bëhen të dhunshme.

"Ne e dimë që shumë njerëz mund të vijnë në këto protesta dhe ne i dimë rreziqet. Unë e pyeta atë, nëse do të kishte trazira ose dhunë, arrestimet do të ishin menjëherë në vend," tha ai.

Një numër i anëtarëve të 'jelekëve të verdhë' kanë thënë se planifikojnë të bashkohen në protesta.

Sindikatat që përfaqësojnë punonjës në sektorin e transportit - stafi i autobusëve dhe hekurudhave - kanë rënë dakord të bëjnë grevë të enjten.

Vetëm dhjetë për qind e trenave në distanca të gjata dhe me shpejtësi të lartë do të funksionojnë ditën e enjte, dhe disa linja rajonale nuk do të funksionojnë fare.

Trenat ndërkombëtarë si Eurostar dhe Thalys do të goditen gjithashtu nga greva.

Në Paris, operatori i metrosë RATP paralajmëroi pasagjerët të prisnin ndërprerje serioze të trafikut gjatë gjithë ditës. Nga 16 linja metro të qytetit, vetëm pesë do të punojnë.

Kontrollorët e fluturimit janë gjithashtu në grevë dhe 30 për qind e fluturimeve të brendshme të Air France do të anulohen, ndërsa EasyJet ka anuluar më shumë se 200 fluturime.

Greva do të përfshijë gjithashtu stafin e spitalit, avokatët dhe oficerët e policisë, postierët dhe pastruesit.

Prindërit, fëmijët e të cilëve shkojnë në shkollë fillore, gjithashtu do të preken nga greva.    

Sindikatat që përfaqësojnë shkollat e mesme presin që 60 për qind e mësuesve të marrin pjesë në grevë, por shkollat duhet të qëndrojnë të hapura.

Franca aktualisht ka një sistem prej rreth dhjetë skemash të ndryshme pensionesh që Macron dëshiron të unifikojë.

Sipas planit të ri, punëtorët do të shpërbleheshin për çdo ditë pune, duke fituar pikë që më vonë do të shndërroheshin në përfitime pensioni.

Mosha e pensionit zyrtar në Francë është rritur nga 60 në 62 gjatë dhjetë vjetëve të fundit, por mbetet një nga më të ulëtat në vendet e OECD.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat