Bota mund të përballet me krizë ushqimi

Bota

Bota mund të përballet me krizë ushqimi

Më: 1 prill 2020 Në ora: 14:06
Foto Ilustrim

Krerët e tri agjencive globale paralajmëruan të mërkurën për rrezikun e “mungesës së ushqimit” në të gjithë botën, nëse autoritetet nuk arrijnë ta menaxhojnë si duhet krizën e koronavirusit.

Shumë qeveri i kanë izoluar popullatat e tyre, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit, por në këtë mënyrë është ngadalësuar edhe tregtia ndërkombëtare dhe furnizimi me ushqime.

“Pasiguria në lidhje me disponueshmërinë e ushqimeve mund të shkaktojë kufizime në eksport, duke krijuar mungesa në tregun global”, thanë përmes një deklarate të përbashkët Qu Dongyu, kreu i Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi pranë Kombeve të Bashkuara (FAO), Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), dhe Roberto Azevedo, drejtor i Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT).

“Kur bëjnë veprime në mbrojtje të shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve, vendet duhet të sigurojnë se masat që lidhen me tregtinë, nuk e prishin zinxhirin e furnizimeve me ushqim”, thanë ata.

“Në kohët si këto, bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor”, thanë krerët e tri organizatave globale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat