Dënohet burri që detyroi të dashurën të bënte tatuazh emrin e tij në krah

Bota

Dënohet burri që detyroi të dashurën të bënte tatuazh emrin e tij në krah

Më: 12 maj 2020 Në ora: 20:10
Familja

Një grua që ishte pjesë e një marrëdhënie kontrolluese, tha se i dashuri e kishte detyruar kundër dëshirës së saj të bënte tatuazh në krah emrin e tij.

Alisa Thomas, 29 vjeçe, u njoh fillimisht me Martin Mitchell në punën e saj, dy vjet më parë dhe nisën të dilnin bashkë.

Por në fillim të këtij muaji ai u dënua nga një gjykatë në Britani për sjelljen e tij kontrolluese.

Fillimisht Alisa thotë se Martin ishte “shumë i sjellshëm, i ngrohtë”, dhe i bënte komplimente.

Më pas, nëna e dy fëmijëve nga Uellsi në Britani, nisi të jetojë me Mitchell por shpejt u bë e qartë se ai nuk mund të kontrollonte emocionet e tij, veçanërisht zemërimin.

Duke kujtuar herën e parë që ai humbi kontrollin, punonjësja e postës thotë: “Ishte tmerruese. Vetëm dy javë pasi nisa të jetoj me të, e pashë për herë të parë.

Alisa thotë se ish-i dashuri i saj kishte ardhur për të dalë me djalin e tyre dhe ajo e shoqëroi jashtë.
Kur u kthye brenda në shtëpi Mitchell “e humbi fare”, duke e akuzuar se po flirtonte me ish-të dashurin, dhe duke e ofenduar me emra si “rrugaçe”.

Pas një seri incidentesh, Mitchell u dënua nga gjykata e Cardiff për sjellje kontrolluese.

Duke folur pas dënimit Alisa tha: “Ai më ka tmerruar.”

Mitchell gjithashtu kontrollonte mesazhet e saj dhe i tregonte vazhdimisht se çfarë mund të bënte dhe çfarë jo.


Kur ata ishin me pushime në Gran Canaria në shtator 2018, Mitchell vendosi që Alisa të bënte tatuazh në krah emrin e tij.


Por gruaja i tha se nuk i pëlqente tatuazhet.

“Une e kisha një tatuazh të vogël dhe isha penduar për të. Por atij nuk mund t’i thoje ‘jo’. E donte tatuazhin në të gjithë krahun që ta shikonin të gjithë”.

Rrjedhimisht edhe artisti i tatuazhit refuzoi ta bënte emrin aq të madh dhe i bëri një version më të vogël pranë kyçit. Kur emri i Mitchell ishte skalitur në lëkurë, ai tha: “Tani të gjithë do ta dinë që je e imja.”

Alisa thotë se tre javë më vonë Mitchell i kërkoi edhe një tatuazh në qafë, që emri i tij të shihej nga më shumë njerëz.

“Ai më tregonte se kujt mund t’i flisja e kujt jo. Nuk e dija më cila isha. Isha e mjeruar. Nuk merrja dot asnjë vendim. Për çdo gjë shqetësohesha se mos e nevrikosja. Nga fundi nisa të dëshiroja të vdisja”.

Pas një argumenti dhe përplasjeje fizike në gusht, fqinjët thirrën policinë dhe Mitchell u arrestua.

Çështja u çua në gjykatën e Cardiff dhe Alisa e dëshmitarë të tjerë morën pjesë.

Mitchell ka pranuar tashmë akuzën e sjelljes kontrolluese dhe u dënua me 18 muaj burg të pezulluar, dhe 10 ditë aktivitet rehabilitimi me fokus në simpatinë ndaj viktimave. Atij iu dha një urdhër tre vjeçar distancimi nga ish-partnerja dhe një periudhe 10-mujore shërbimi komunitar.

Tashmë tatuazhin me emrin e Mitchell ajo e ka mbuluar me një dizajn lulesh bardhë e zi.

Alisa falenderon sistemin gjyqësor për trajtimin e shpejtë të çështjes: “Duhet të falenderoj sistemin e drejtësisë. Shpresoj që rasti im t’i japë guxim personave të tjerë të mos pranojnë këtë lloj abuzimi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat