Kamionistët, në rrugët e vetmuara për një detyrë fisnike

Bota

Kamionistët, në rrugët e vetmuara për një detyrë fisnike

Më: 26 maj 2020 Në ora: 20:53
Ilustrim

Një pjesë e madhe e popullatës është mbyllur në banesa në këtë kohë pandemie, por punonjësit e sektorëve jetikë, si për shembull shoferët e kamionëve, kanë një përvojë krejt tjetër në këtë situatë. Për të mësuar për peripecitë e punës së kamionistëve që kalojnë orë të panumërta në udhëtim, korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti foli me dy shoferë dhe përgatiti materialin: “Ngas një kamion Kenworth, ka edhe vend për të fjetur. Jemi dy vetë, udhëtojmë pa pushim. Ndalemi vetëm për t’u furnizuar me karburant,” tregon shoferi Robert Passera. Këto kamionë me 18 rrota kanë marrë nofkën ‘kuaj pune’.

Burra e gra të të gjitha moshave punojnë në këtë profesion, duke kontrolluar këtë mjet transporti me peshë 36 tonë.

Robert Passera nget një kamion me dy rimorkio për kompaninë postare FedEx. Pas sediljes së shoferit ndodhet hapësira ku ai fle.

“Kjo është si banesa jonë larg shtëpisë, e pajisur me poçen e kafesë, artikuj të nevojshëm, dyshek,” thotë Robert Passera.

Mbyllja e dyqaneve dhe e klubeve që frekuentoheshin gjatë udhëtimit nga shoferët e kamionëve e bëjnë të domosdoshme që ai të sjellë me vete ushqime.

Roberti udhëton për 11 orë, vetëm me një pushim 30 minutësh. Pastaj i vjen radha shoferit të dytë.

Njëri fle, tjetri nget kamionin, kështu me radhë.

Kur futet në një parkim për kamionët shpesh herë dushet nuk janë në operim, si rezultat i pandemisë. Pjesa më e madhe e dyqaneve nuk kanë dizinfektantë për duart, apo maska. Bashkëshortja e partnerit të tij në kamion ka bërë maska për të dy ata.

“Kur udhëton me kamion, mikrobet nuk kanë ku të shkojnë. Je shumë pranë me dikë tjetër. Nëse sëmuret njeri prej nesh, edhe tjetri do të sëmuret”.

“Punoj si kamionist që nga 2008,”… …tregon Tony Fazzini.

“Transportojmë artikuj nga më të ndryshmit. Për shembull, dërgova një kamion me lëndë drusore për kompaninë ‘Kraft Foods’,” thotë zoti Fazzini.

Ai udhëton rreth 14 orë në ditë dhe kthehet në shtëpi në mbrëmje.

Pandemia ka reduktuar trafikun, por kjo ka krijuar edhe një vetmi stresuese në rrugë.

“Kur jam duke udhëtuar në autostradë, hedh vështrimin anash, dhe shoh që parkimi i një marketi është krejt i zbrazët. Rrugët janë krejt bosh, s’ka trafik.

Duket si fundi i botës, kështu do të dukej po të ndodhë”.

Mërzia që vjen nga vetmia lehtësohet nga kënaqësia për punën që bëjnë për të mirën e vendit.

“Nëse kamionët nuk punojnë, spitalet nuk marrin furnizime, mjekët nuk marrin pajisje mbrojtëse,

askush nuk merr ato që u nevojiten. Çdo gjë paralizohet,” thotë Robert Passera.

Këto janë heronjtë e përditshëm të epokës së pandemisë./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat