Reagime për dislokimin e trupave amerikane në Poloni

Bota

Reagime për dislokimin e trupave amerikane në Poloni

Më: 18 gusht 2020 Në ora: 17:55
Mike Pompeo

Shtetet e Bashkuara dhe Polonia kanë nënshkruar një marrëveshje për të rritur numrin e trupave amerikane në Poloni dhe për të krijuar atje një bazë të përhershme amerikane. Marrëveshja vjen pas një vendimi të mëparshëm të Shteteve të Bashkuara për të tërhequr disa trupa nga Gjermania. Shumë aleatë evropianë e shohin këtë si një vendim politik pas mosmarrëveshjeve për shpenzimet e mbrojtjes mes aleatëve të NATO-s - por të tjerë argumentojnë se ridislokimi I trupave është thelbësor për t’iu përgjigjur kërcënimeve nga Rusia.

Në Poloni ka tashmë rreth 4500 trupa amerikane, pjesë e një dislokimi me rotacion në Evropën Lindore.

Marrëveshja e re mes Varshavës dhe Uashingtonit do ta bëjë këtë dislokim të përhershëm - me një mijë trupa amerikane shtesë në terren. Selia e Korpusit V të Ushtrisë Amerikane do të zhvendoset gjithashtu nga Gjermania në Poloni.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo e nënshkroi marrëveshjen të shtunën gjatë një vizite në Poloni.

"Si një ish oficer tankesh e di mirë se niveli i trupave, numri i ushtarëve që ke në një vend ka rëndësi", tha sekretari i Shtetit Mike Pompeo.

Dislokimi është strategji e rëndësishme, thotë analisti Jonathan Eyal.

“Lëvizja bëhet për të penguar Rusinë dhe është një kujtesë për evropianët se të gjitha vendet anëtare të NATO-s kanë të drejtën për të njëjtën garanci sigurie".

Polonia thotë se marrëveshja do të ndihmojë për t’u mbrojtur ndaj kërcënimeve nga Rusia.

"Marrëveshja është e rëndësishme për sigurinë tonë dhe është e rëndësishme që trupat të dislokohen në Poloni dhe jo në Gjermani", thotë Jacek Czaputowick, ministër i Jashtëm i Polonisë.

Presidenti Donald Trump njoftoi muajin e kaluar planet për të tërhequr 12 mijë trupa amerikane nga Gjermania, duke akuzuar Berlinin se ka dështuar të përmbushë objektivat e Natos për shpenzimet e mbrojtjes. Ai tha se rreth gjysma e trupave do të kthehen në atdhe – dhe pjesa tjetër do të dislokohet në vende të tjera aleate të NATO-s.

"Ne jemi duke mbrojtur Gjermaninë, kështu që po pakësojmë numrin e trupave tona atje sepse ata nuk po paguajnë faturat. Është shumë e thjeshtë", tha presidenti.

Zyrtarët amerikanë thonë se tërheqja e pjesshme e trupave nga Gjermania dhe dislokimi në Poloni nuk janë të lidhura. Berlini ka paralajmëruar se lëvizjet mund të dobësojnë aleancën e NATO-s. Analisti Jonathan Eyal thotë se ndryshimet janë shumë të vonuara.

"Në realitet ky është një rikalibrim i duhur i aleancës më shumë se 30 vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Çfarë kuptimi ka të kesh aq shumë trupa në Gjermani thjesht për arsye historike, dhe mos të kesh trupa në vendet që ndjehen më të prekura dhe në të vërtetë janë më të kërcënuara nga Rusia? "

Aleatët e NATO-s dislokuan disa mijëra trupa në Evropën Lindore pas aneksimit të Krimesë dhe pushtimit të Ukrainës Lindore nga Rusia në vitin 2014.

Moska e ka quajtur praninë e trupave amerikane në Poloni, një "kërcënim për sigurinë e saj"./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat