Finlandë: Masa të forta për frenimin e epidemisë

Bota

Finlandë: Masa të forta për frenimin e epidemisë

Nga: Lili Verdha Më: 24 nëntor 2020 Në ora: 19:57
Finlandë

Mbyllen për 3 javë qendrat kulturore e sportive.

HELSINKI, 24.11.2020 (Lili Verdha) - Përkeqësimi i mëtejshëm ditët e fundit i gjëndjes epidemike në qytetet jugore të Finlandës çoi në marrjen e masave të forta kufizuese për frenimin me çdo kusht të përhapjes së vrullshme të virusit Korona.

Sot Kryebashkiaku i Helsinkit, Jan Vapaavuori,  dhe Drejtori i Qendrës Spitalore Universitare të Helsinkit, Juha Tuominen, njoftuan se, duke filluar nga pasnesër (t'Enjten), në qytetet Espoo, Helsinki dhe Vantaa do të mbyllen për 3 javë të gjitha pishinat (bazenet), palestrat dhe qendrat sportive, bibliotekat, Shkollat e Natës (työväenopistot), Shtëpitë e Rinisë (Nuorisotalot) etj, si edhe do të ndërpriten veprimtaritë jashtshkollore që organizohen në mjediset e shkollave mbasdite dhe në mbrëmje. Po kështu, mësimi i nxënësve të gjimnazeve dhe Shkollave të Mesme Profesionale do të bëhet në distancë me video, ndërsa nxënësit dhe mësuesit e ciklit të lartë të Shkollave Fillore (pra klasat 5-9) do të vazhdojnë mësimet në klasë, por janë të detyruar të mbajnë maska. Gjithashtu do të mbyllen edhe kafenetë e natës.

Përsëri sot u theksua se, krahas masave të tjera higjienike (dizinfektimi i duarve, distancimi fizik etj.), MASKAT janë TË DETYRUESHME PËR TË GJITHË! Gjithashtu, ndalohen grumbullimet dhe organizimet e aktiviteteve masive apo festimeve private me më shumë se 10 persona. Në takime me grupe të rriskut brënda familjes të mbahen maskat. Në mjediset e mbyllura s'duhet të ketë më shumë se 20 vetë. Restorantet do të rrinë hapur deri n'orën 23:00, ndërkohë që deri tani lejoheshin deri n'orën 24:00.

Duke mbajtur parasysh ecurinë e epidemisë,  KËTO MASA MUND TË JENË NË FUQI EDHE PAS PERIUDHËS 3-JAVORE.-

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat