Erdogani duke u përkëdhelur me Putinin po shndërrohet në bombë të kurdisur për NATO-n!

Bota

Erdogani duke u përkëdhelur me Putinin po shndërrohet në bombë të kurdisur për NATO-n!

Më: 27 qershor 2022 Në ora: 18:55
Vladimir Putin dhe Erdogan

Zhgënjimi me afrimin e Turqisë me Rusinë po rritet në kryeqytetet perëndimore dhe në Kiev. Në fund të fundit, shpresohej që lufta në Ukrainë do ta bënte Erdoganin të rishikonte romancën e tij me Putinin. Erdogan po harron: Suedia ishte një nga vendet e pakta që kishte mbajtur gjallë, shpresat e Turqisë për anëtarësim në BE.

Besohet gjerësisht se pushtimi rus i Ukrainës i ka sjellë NATO-s një sens të ri qëllimi, energjie dhe uniteti. Kjo nuk duket se ka arritur deri te Recep Tayyip Erdoğan. Presidenti i Turqisë bllokoi zgjerimin e NATO-s muajin e kaluar, paralajmëroi një ofensivë të re kundër luftëtarëve kurdë të mbështetur nga SHBA në Siri dhe nxiti konfliktin me aleatin Greqinë.

Romanca mes Erdoganit dhe Putinit nuk ka përfunduar ende

Ekspertët individualë si në Perëndim ashtu edhe në Turqi po diskutojnë tani nëse NATO dhe Turqia duhet të ndjekin rrugët e tyre të ndara. Dhe këtë herë ata nuk janë vetëm. “Dalja nga NATO duhet të konsiderohet si një alternativë”, tha Devlet Bahçeli, kreu i një partie nacionaliste në koalicionin e Erdoganit. Ne nuk u krijuam si shtet për shkak të NATO-s dhe nuk do të fundoseme pa NATO-n.

Zhgënjimi mes afrimit të Turqisë dhe Rusisë po rritet gjithashtu në kryeqytetet perëndimore dhe në Kiev. Shpresohej se lufta në Ukrainë do ta shtynte Erdoganin të rishikonte romancën e tij me presidentin rus Vladimir Putin. Në vend të kësaj, oportunizmi mbizotëron. Turqia i ka shitur drone të armatosur Ukrainës dhe ka ndaluar hyrjen në Detin e Zi për anijet luftarake ruse, por në anën tjetër kundërshton sanksionet perëndimore kundër Rusisë dhe mirëpret hapur kapitalin rus. Sipas një raporti në mediat turke, dhjetëra kompani ruse, përfshirë Gazprom, po planifikojnë të zhvendosin selitë e tyre evropiane në Turqi.

Për Erdoganin, anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO është "i panevojshëm"

Përveç disa fjalëve paralajmëruese në fillim të luftës në Ukrainë, Turqia ka mbajtur gjithmonë marrëdhënie të mira me Rusinë. Gjatë një vizite të Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov në Ankara këtë muaj, homologu i tij turk me dhembshuri sugjeroi një lehtësim të sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, nëse Rusia heq bllokadën e porteve të Ukrainës. Dhe kur Lavrov përsëri pretendoi se Rusia do ta pushtonte Ukrainën për t´i luftuar neonazistët, mikpritësi i tij heshti.

Bllokada e Erdoganit për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, ka dëmtuar më tej pozitën e Turqisë në aleancë. Sundimtari Erdogan sinjalizoi se ai dëshiron që vendet nordike, të ekstradojnë disa anëtarë të Partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe të heqin një embargo të pjesshme të armëve ndaj vendit të tij. Ai gjithashtu mund të kërkojë lëshime nga SHBA, për të hequr veton e tij. Erdogan herë pas here zbulon refuzimin e tij themelor të zgjerimit të NATO-s. Në një shkrim për The Economistai kohët e fundit shkoi aq larg, sa qortoi Finlandën dhe Suedinë për shtimin e një "artikulli të panevojshëm" në axhendën e NATO-s, me aplikimin e tyre për anëtarësim.

Turqia po lufton me një normë inflacioni mbi 70 për qind

Erdogan mund të ketë ndjerë se disa kriza të jashtme ishin të nevojshme, për të larguar vëmendjen e votuesve turq nga një rënie drastike e kushteve të jetesës: një normë e furishme inflacioni, e cila zyrtarisht thuhet se është mbi 70 për qind, po ha kursimet dhe pagat e njerëzve. Në fund të majit, Presidenti paralajmëroi për një ofensivë të re ushtarake kundër trupave kurde në Siri. Ai u detyrua t'i vënte në pritje këto plane - me sa duket kundër rezistencës së Rusisë ose Amerikës, ose të dy vendeve. Që atëherë ai e ka drejtuar zemërimin e tij kundër Greqisë dhe ka bërë thirrje për çmilitarizimin e ishujve grekë në brigjet perëndimore të Turqisë. Ai pohoi gjithashtu se bazat amerikane në Greqi, përbëjnë një kërcënim për Turqinë (e cila vetë ka forca amerikane të stacionuara atje).

E gjithë kjo duket të jetë vetëm një zhurmë momentale. Por bllokimi i anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO, ndërkohë që lufta vazhdon në Evropë , do të ketë pasoja, edhe nëse Erdogan heq dorë nga kjo. Suedia ishte një nga vendet e pakta që kishte mbajtur gjallë shpresat e Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo mbështetje tani siç duket ka përfunduar.

Ekziston gjithashtu një mosmarrëveshje midis Perëndimit dhe Turqisë për PKK-në

Erdogan duket i gatshëm ta paguajë atë çmim, nëse mosmarrëveshja ushqen bazën e tij nacionaliste. Një shumicë e politikanëve turq, si dhe shumë qytetarë të Turqisë, e shohin PKK-në vetëm si një kërcënim sigurie dhe e kanë kritikuar prej kohësh Perëndimin, se nuk i merr seriozisht shqetësimet e tyre rreth lëvizjes. Ata janë veçanërisht të zemëruar për vendimin e SHBA-së, për të bashkuar forcat me krahun sirian të PKK-së, për të përmbysur kalifatin e Shtetit Islamik.

Perëndimorët tani besojnë se Turqia është kryesisht përgjegjëse për shfaqjen e PKK-së, sepse ajo u mohon kurdëve të vendit, të drejtat që ata kërkojnë. Nga kjo ata konkludojnë gjithashtu se klasifikimi i Erdoganit në kategorinë "terrorist" nuk është i besueshëm. Duke aplikuar këtë etiketë për mijëra njerëz – duke përfshirë burokratë, akademikë, protestues paqësorë dhe politikanë kurdë – të cilët Erdogani shpesh i futi në të njëjtat burgje si militantët e armatosur, ai e ka poshtëruar termin si dhe monedhën turke.

Dalja apo përjashtimi i Turqisë nga NATO, mbetet një ëndërr e së ardhmes

Ndoshta nuk do të ketë kurrë një marrëveshje mes Turqisë dhe Perëndimit për këtë çështje. Talljet e Erdoganit dhe pretendimi i tij se Perëndimi, jo Rusia, është kërcënimi më i madh për vendin e tij, vetëm sa do ta përkeqësojnë problemin. Sipas një sondazhi të fundit, 65% e turqve shprehin mosbesimin e tyre ndaj NATO-s, megjithëse 60% e miratojnë anëtarësimin në këtë aleancë.

Megjithatë, marrëdhëniet mes Turqisë dhe NATO-s nuk janë të destinuara të dështojnë. Vendet perëndimore do të përpiqen të përmbysin veton turke, duke i garantuar Finlandës dhe Suedisë garanci sigurie. Kjo mund ta margjinalizojë Turqinë brenda aleancës. Por tërheqja apo përjashtimi i Turqisë nga NATO, mbetet një ëndërr e së ardhmes.

“Nuk dua ta imagjinoj NATO-n pa Turqinë”

Siç thekson Ben Hodges, një ish-komandant i forcave amerikane në Evropë, Turqia është në vijën e parë të luftës siriane dhe në afërsi të konflikteve të tjera në Lindjen e Mesme. Ajo gjithashtu kontrollon hyrjen në Detin e Zi, qendra e luftës së fundit ruse, dhe shërben si një korridor për tregtinë midis Azisë Qendrore dhe Evropës, veçanërisht në sektorin e energjisë. "Unë as nuk dua ta imagjinoj NATO-n pa Turqinë," shton ai.

Veçanërisht në vazhdën e luftës ruse në Ukrainë, Turqia nuk ka asnjë interes të heqë dorë nga fuqia parandaluese që i jep anëtarësimi në NATO. "Unë nuk mendoj se do të ndodhë ndonjëherë," tha Tacan Ildem, ish-përfaqësuesi i përhershëm i Turqisë në NATO. Nuk ka alternativë bindëse, shpjegon ai. Edhe pa Erdoganin, Turqia ka të ngjarë të vazhdojë të shkaktojë dhimbje koke për aleancën. Megjithatë, ka shqetësime me të cilat NATO, duhet të vazhdojë kështu të jetojë.

Artikulli u shfaq për herë të parë në The Economist me titull "A po krijon Turqia më shumë telashe për NATO-n sesa mendohet?" dhe u përkthye nga Cornelia Zink, Nga Gjermanishtja Sherif Ramabaja

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat