“Mjekët pa kufij”: Mbi 100 emigrantë të mbytur në brigjet libiane - Bota Sot
“Mjekët pa kufij”: Mbi 100 emigrantë të mbytur në brigjet libiane

Bota

“Mjekët pa kufij”: Mbi 100 emigrantë të mbytur në brigjet libiane

Më: 11 shtator 2018 Në ora: 13:05
Ilustrim

Më shumë se 100 emigrantë janë mbytur në një incident të ndodhur pak pas nisjes nga brigjet libiane, më herët gjatë këtij muaj.

Lajmi njoftohet nga “Mjekët pa kufij”, sipas së cilës dy varka të papërshtatshme për lundrim u nisën në rrugëtimin përmes Mesdheut më 1 shtator, por njëra e ndërpreu në mes atë pasi u mbyt.

Rreth 276 të mbijetuar u dërguan më pas në qytetin portual libian të Khomsit, rreth 100 km në juglindje të kryeqytetit Tripoli, për të cilët “Mjekët pa kufij” thonë se po mbahen në “ndalim arbitrar”.

Të mbijetuarit, mes të cilëve edhe gra shtatzëna, fëmijë dhe foshnje, janë trajtuar nga organizata e ndihmave për pneumoni dhe djegie nga karburanti i rrjedhur prej motorëve të gomones.

Mbi 1.500 emigrantë kanë vdekur gjatë këtij viti në përpjekje për të kaluar drejt Europës përmes Mesdheut, sipas shifrave zyrtare të Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit (IOM).

Shumë më të tepërt janë ata që janë shpëtuar, edhe pse Italia, destinacioni i parë i preferuar i emigrantëve që nisen nga Libia, u ka refuzuar hyrjen anijeve me emigrantë kohët e fundit.

Shqetësim ka edhe për ata që janë rikthyer në Libi nga Rojet Bregdetare të vendit, mes raporteve të dala vitin e kaluar se, emigrantët e vendeve afrikano-veriore po mbahen peng në këmbim të ryshfeteve, apo po shiten si skllavë.

Libia vijon të mbetet një vend i paqëndrueshëm që prej rrëzimit të ish-udhëheqësit Muammar Gaddafi në vitin 2011. Qindra emigrantë të mbajtur në paraburgim arbitrar është dashur të zhvendosen, pas shpërthimeve vdekjeprurëse në Tripoli në fund të gushtit, ndërsa edhe një ditë më parë pati një sulm të organizuar ndaj Korporatës Kombëtare të Naftës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...