Presidenti Donald Trump nderoi sot trupat amerikane, franceze dhe të aleatëve të tjerë që humbën jetën gjatë Luftës së Parë Botërore.
Ai foli gjatë një vizite në Varrezat dhe Memorialin Amerikan Suresnes pranë Parisit në prag të Ditës së Veteranëve, përpara se të kthehet në Uashington DC.
"Jemi mbledhur në këtë vend të shenjtë pushimi për të respektuar amerikanët trima që dhanë frymën e fundit në atë luftë të fuqishme", tha presidenti.
Më shumë se 1.500 amerikanë që vdiqën gjatë luftës janë varrosur në këto varreza. Presidenti Trump është kritikuar që nuk shkoi për të vizituar një varrezë tjetër amerikane pranë Parisit të shtunën. Moti me shi nuk lejoi udhëtimin me helikopter që ishte planifikuar dhe vizita u anulua.