Lufta tregtare SHBA-Kinë, Xi Jinping: Nuk do të prodhojë asnjë fitues - Bota Sot
Lufta tregtare SHBA-Kinë, Xi Jinping: Nuk do të prodhojë asnjë fitues

Bota

Lufta tregtare SHBA-Kinë, Xi Jinping: Nuk do të prodhojë asnjë fitues

Më: 17 nëntor 2018 Në ora: 10:30
Xi Jinping

Vendet që përqafojnë proteksionizmin janë të “destinuara të dështojnë”. Ishte ky paralajmërimi i lëshuar nga presidenti i Kinës, Xi Jinping, në një goditje të maskuar ndaj politikës “Amerika e para” të presidentit Donald Trump.

Kreu kinez ka folur gjatë punimeve të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), ku tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës me gjasë do të dominojnë mbi çdo temë tjetër.

Zv.presidenti amerikan, Mike Pence është kundërpërgjigjur më vonë, duke thënë se vendi i tij është i përgatitur madje për “dyfishim apo më shumë” të tarifave të vendosura ndaj produkteve kineze të importit.

Dy vendet me ekonomitë më të fuqishme të botës janë përfshirë gjatë këtij viti në një luftë të ashpër tregtare, me masa e kundërmasa.

Shtëpia e Bardhë njofton se tarifat e saj vijnë si pasojë e politikave tregtare “të padrejta” të Kinës.

Ndërkohë, që të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë që tarifat, të cilat edhe kështu siç janë arrijnë në miliarda dollarë së bashku, mund të rriten edhe më shumë.

Gjithsesi, presidenti Xi u duk të lëshonte një paralajmërim për përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve mes dy vendeve.

“Historia na ka treguar se konfrontimi, qoftë në formën e një lufte të ftohtë, lufte reale, apo lufte tregtare, nuk prodhon asnjë fitimtar”, u tha ai udhëheqësve të mbledhur në kryeqytetin e Papua Guinesë së Re, Port Moresby, për zhvillimin e këtij samiti.

“Përpjekjet për të ngritur barriera dhe ndërprerë lidhjet e afërta ekonomike shkojnë kundër ligjeve ekonomike dhe kundër trendeve të historisë. Kjo është një qasje dritëshkurtër dhe është e destinuar të dështojë”, shtoi Xi Jinping, duke paralajmëruar se, ata që mbyllin dyert e tyre “thjesht veçohen nga pjesa tjetër e botës dhe humbasin drejtimin e tyre”.

Por Pence, i cili foli në këtë forum menjëherë pas presidentit Xi, tha se tarifat ishin një kundërpërgjigje e “mosbalancimit” me Kinën.

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë për të ndryshuar kurs, për sa kohë që Kina nuk ndryshon drejtimin e saj”, tha ai.

Komentet e tij vijnë një ditë pasi presidenti Donald Trump u tha reporterëve se kishte besim, që një marrëveshje mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara “do të arrihej”. Gjithsesi, ai tha se një sërë çështjesh nuk janë përfshirë ende në listën e negociatave, përpara samitit të muajit të ardhshëm të G20-s në Argjentinë, duke nënkuptuar se lista “nuk është pranuar ende” nga presidenti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...