Fushatë e gjerë e Kinës për të ndikuar në jetën amerikane

Bota

Fushatë e gjerë e Kinës për të ndikuar në jetën amerikane

Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 11:25
Fushatë e gjerë e Kinës për të ndikuar në jetën amerikane

Një studim i ri nga ekspertë të vjetër për Kinën në Shtetet e Bashkuara konkludon se Pekini është angazhuar në një fushatë gjithnjë e më agresive për të influencuar dhe për të ndryshuar perceptimin që kanë për Kinën politikanët amerikanë, studiuesit në universitete dhe drejtuesit e korporatave kryesore.

“Përveç Rusisë, përpjekjet e asnjë vendi tjetër për të influencuar politikat dhe shoqërinë amerikane nuk janë aq të gjera dhe aq të mirëfinancuara sa ato të Kinës”, thuhet në raportin e Institutit Hoover të Universitetit Stanford, dhe të Qendrës së Shoqërisë Aziatike për Marrëdhëniet SHBA – Kinë.

Raporti, i titulluar “Influenca kineze dhe interesat amerikane: Si të inkurajojmë vigjilencën konstruktive”, zbërthen një gamë të gjerë të aktiviteteve kineze në SHBA për të “avancuar objektivat e influencimit të saj”. Këtu përfshihet lobimi ndaj “grupeve me influencë të shoqërisë civile”, por edhe qasja tek infrastruktura dhe teknologjia kyçe amerikane si dhe përdorimi i metodave “të fshehta, shantazuese dhe korruptuese”, si korruptimi i studentëve kinezë në kampuset universitare amerikane për të spiunuar bashkëstudentët e tyre kinezë.

Raporti thotë se, me ndihmën e universiteteve amerikane, Kina ka krijuar 110 institute “Konfuci” në kampuset amerikane, të cilat detyrohen të përdorin materiale të miratuara nga Partia Komuniste “që promovojnë pikëpamjet e Republikës Popullore të Kinës, terminologjinë dhe shkrimin e thjeshtëzuar; shmangien e diskutimeve për tematika të debatueshme, si Tibeti, Tiananmeni, Sinkiangu, lëvizja Falun Gong dhe të drejtat e njeriut në programet dhe klasat e mësimdhënies në SHBA”.

Raporti gjithashtu thotë se Hollivudi, kryeqyteti i filmografisë botërore, është influencuar nga investimet kineze dhe tashmë prodhon rregullisht filma që pasqyrojnë qeverinë kineze në një dritë të favorshme. Në raport thuhet se vetëm dy dekada më parë, filma si “Këndi i Kuq”, “Shtatë vjet në Tibet” dhe “Kundun”, trajtonin tema që qeveria kineze i konsideronte sensitive. Studiot e Hollivudit tashmë u bashkëngjiten interesave kineze për të prodhuar filma si “Marsiani”, një film i suksesshëm, në të cilin qeveria kineze shpëton protagonistët amerikanë.

Raporti konkludon se “prurjet e investimeve kineze në industrinë amerikane të filmit kanë ngritur shqetësime serioze madje për një humbje të pavarësisë së kësaj industrie”.

Ndërkohë, universiteteve amerikane nuk u është dhënë e njëjta qasje në Kinë dhe gazetarët amerikanë atje u nënshtrohen kufizimeve të rrepta.

Konkluzionet e raportit mbështesin ato të nënpresidentit amerikan Mike Pence, të shprehura gjatë një fjalimi muajin e kaluar.

“Pekini po përdor një qasje të drejtoprdrejtë qeveritare duke shfrytëzuar mjete politike, ekonomike dhe ushtarake, si dhe propagandën, për të avancuar influencën e tij dhe në përfitim të interesave të tij në Shtetet e Bashkuara”, u shpreh nënpresidenti Pence.

Raporti vjen në një periudhë kur Presidenti Donald Trump dhe ai kinez Xi Jinping kanë vendosur gjatë muajve të fundit tarifa ndaj qindra miliardë dollarë eksportesh që lëvizin ndërmjet dy ekonomive më të mëdha të botës.

Dy udhëheqësit pritet të takohen këtë të shtunë në Buenos Aires gjatë darkës së samitit të G20-tës, ku mundet edhe të arrijnë një marrëveshje të re tregtare. Pengesat megjithatë vazhdojnë të ekzistojnë dhe arritja e saj nuk është e sigurtë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat