Belgjikë, kandidatë shqiptarë për zgjedhjet lokale e federale

Diaspora

Belgjikë, kandidatë shqiptarë për zgjedhjet lokale e federale

Më: 7 prill 2019 Në ora: 21:27
Foto ilustruese

Për herë të parë, shqiptarët e Belgjikës synojnë të kenë deputetë jo vetëm në të gjitha nivelet e pushtetit në Belgjikë, por edhe në Parlamentin Evropian. Kjo është strategjia ambicioze e prezantuar për zgjedhjet lokale, federale dhe evropiane të 26 majit nga kandidatë shqiptarë të së majtës në Belgjikë. Ekipi i kandidatëve quhet “Kombëtarja për Zgjedhjet”.

Ai përbëhet nga deputeti shqiptar në Parlamentin e Brukselit, Ahmet Gjanaj, i cili synon të kandidojë për zgjedhjet në Parlamentin Europian. Luiza Duraki synon të zgjidhet deputete në Parlamentin Federal të Belgjikës, ndërkohë që Avni Gjanaj, Habibe Duraki dhe Qëndresa Garlica synojnë të bëhen deputetë në Parlamentin e Brukselit. Sistemi zgjedhor në Belgjikë bën të mundur që të votohet për disa kandidatë njëkohësisht.

Ahmet Gjanaj, deputet në Parlamentin e Brukselit: “Me zgjedhjet në nivelin e Evropës, Belgjikës dhe Brukselit, ne kemi zgjedhur një strategji të veçantë që do të bëjë të mundur një përfaqësim të shqiptarëve në tre nivele, që ka qenë i pamundur deri tani. Çdo shqiptar që voton për tre kandidatë arrin të krijojë mundësinë, që këto tre kandidatë të fitojnë. Nëse shqiptarët votojnë për të tre kandidatë, pasi në Belgjikë mund të votohet për më shumë se dy apo tre kandidatë, ne mund të përfaqësohemi me tre deputetë në 3 nivele në Belgjikë”.

Rudy Vervoort, ministër-President i qeverisë së Brukselit:  “Ju duhet të bëni fushatë në të gjithë Belgjikën, së pari si zëri i Partisë Socialiste dhe gjithashtu për të përfaqësuar dhe mbrojtur komunitetin shqiptar, që është një prej komuniteteve më të rëndësishme të vendit dhe luan një rol të rëndësishëm në gjirin e saj, por edhe në Bruksel”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat