Gërxhaliu: Rritja ekonomike dhe stabiliteti social në Kosovë është kontribut vetëm i diasporës - Bota Sot
Gërxhaliu: Rritja ekonomike dhe stabiliteti social në Kosovë është kontribut vetëm i diasporës

Diaspora

Gërxhaliu: Rritja ekonomike dhe stabiliteti social në Kosovë është kontribut vetëm i diasporës

Nga: N.Sh Më: 2 korrik 2019 Në ora: 09:40
Ilustrim

Njohësi i ekonomisë dhe ish-kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se, është e vërtet që në Kosovë krenohen me një rritje katër përqind në vit, mirëpo një rritje e tillë, sipas tij, nuk është substanciale sepse bazohet vetëm në konsum.

Gërxhaliu pohon se, rritja ekonomike e ka vlerën e vet nëqoftëse bazohet në disa indikator, si në rritjen e investimeve të huaja, në krijimin e vendeve të reja të punës, në përmirësimin e bilancit të pagesave, në kontraktimin e punëve të kompanive vendore jashtë dhe këto nuk janë duke ndodhur, prandaj ajo që e rritë rritjen ekonomike është konsumi dhe ky konsum është shumë më tepër meritë e diasporës.

“Prandaj dua të besoj që nëqoftëse bëhet garë për të ndërtuar përmendore, sheshe dhe emërimin e tyre ne forma të ndryshme është koha kur duhet të mendohet që të paktën në aspektin moral të falënderohet diaspora për kontributin e dhënë”, thotë Gërxhaliu për gazetën “Bota sot”.

Image
Safet Gërxhaliu

Ai shton se, nëqoftëse në çlirimin e Kosovën ka ndihmua Amerika, aleatët evropian dhe miqtë ndërkombëtarë, atëherë e tëra kjo nuk kish me qenë efektive pa një kontribut shpirtëror të diasporës.

“Nëqoftëse vërtet duhet te gjendet se kush janë ambasadorët e Kosovës kudo në botë, ata janë diaspora jonë e cila e donë Kosovën shumë më tepër se na. Prandaj besoj se është koha kur duhet të mendohet që në shenj falënderimi të ketë sheshe ose rrugë që do t’i kushtohet diasporës tonë. Dhe ajo çka duhet të jetë synim i një qeverie të mirëfilltë të Kosovës në të ardhmen është që paraja e diasporës të mos jetë vetëm e destinuar paraprakisht për tu eksportuar e gatshme, po të jetë në funksion të zhvillimit, të ketë një plan nacional i dedikuar për diasporë, ku do të thotë diaspora përveç parasë së vet do ta bien edukimin, do ta sjell përvojën, do ta përcjell në Kosovë disiplinën e punës dhe mbi të gjitha do të investoj në Kosovë. Vetëm në Gjermani, Zvicër dhe Austri llogaritet që paratë e deponuar nëpër banka e diasporës janë më tepër se dy miliardë e gjysmë, dhe paramendo ne vuajmë në mungesë të parave për projekte të mëdha, qoftë Kosova e Re, qoftë projektet tjera madhore, ndërsa këtë potencial i pasur si loti, i mbështjellë me dijeni dhe përvojë nuk është ai që dedikohet në Kosovë”, potencon ai.

Gërxhaliu tutje thekson se, është koha kur për diasporë duhet të bëhet shumë më tepër se sa vetëm të flitet, dhe është koha e fundit kur diaspora nuk duhet të analizohet dhe të matët vetëm nga kuti financiar, por nga kuti i vlerave intelektuale, profesionale, njerëzore dhe etike.

“Është koha kur për diasporë duhet të bëhet më tepër sesa të flitet, dhe në fund të fundit e kemi obligim moral që të paktën ata mos të ballafaqohen kur të vijnë në Kosovë me byrokraci, me korrupsion dhe me krim të organizuar që kemi në veçanti kohëve të fundit shumë dëshmi se me çfarë presioni ata ballafaqohen. Pra nëqoftëse diasporës nuk ia mundësojmë që të jetë ajo që të investoj dhe ta shpëtoj Kosovën nga një situatë e zymtë çfarë është duke ndodhur, kush do të jenë ata investitorë të huaj që do të vinë në Kosovë”, thotë Gërxhaliu.

Sipas tij, një shteti që i dërrmohet ekonomia është utopike që të mendohet se do të ketë stabilitet politik, është e pamundur të mendohet se do të ketë stabilitet social dhe mbi të gjitha është e pamundur dhe utopike të mendohet që do të përshpejtojnë proceset integruese.

“Nuk jetohet vetëm me eksportim të parasë së gatshme, duke importuar mallra dhe shërbime nga jashtë por besoj që Kosova shpëton falë një realiteti që në Kosovë nuk po pranohet si realitet e që ka të bëjë; e para është fakti se Kosova i ka dy buxhete. Një buxhet i cili çdo vit miratohet në Kuvendin e Kosovës, pra të propozuar nga Qeveria i cili është në funksion të politikës, korrupsionit dhe keqmenaxhimit i cili është më së paku në funksion të një mirëqenie për qytetarët, një buxhet i cili është i dedikuar për t’u grabitur, për t’u keqpërdorur dhe për t’u shfrytëzuar për interesa të grupeve të caktuara. Por realiteti tjetër në Kosovë është se Kosova e ka buxhetin e dytë, dhe ai buxhet është që vjen nga diaspora. Dhe sot është turpi më i madh të thuhet se shqiptarët kudo në botë dërgojnë 600-700 milionë euro, ndërsa e vërteta është se diaspora shqiptare kudo në botë e mbështet aspektin social në Kosovë me minimum 1.8 deri në 2 miliardë euro, dhe kjo është garancia e mbijetimit të shtetit në aspektin social, kjo është ajo që e mbanë popullatën, sepse sa për buxhetin që kalon në Parlament situata kishte me qenë një situatë mizore dhe e tëra kjo është duke reflektuar në atë masë sa që shqiptarët që nuk ballafaqohen vetëm me shtresë” pohon ai.

Ai shton se, është e vërtetë që në Kosovë janë krijua shumë institucione më tepër për të rehatuar militantë dhe grupe të caktuara të interesit se që të jenë në funksion të zhvillimit.

“Ne e kemi edhe ministrinë e diasporës dhe shumë ministri të tjera të cilat merren me këto aktivitete sepse gjithmonë e kanë mjel dhe tentojnë të zhvatin diasporën dhe në këtë drejtim ajo se çka e dëmton më së shumti diasporën është jo ndihma e Kosovës, por tentativa për politizim dhe përçarje të diasporës dhe ky është rreziku më i madh i cili shkon më tepër në favor të armiqve të Kosovës sesa atyre që ia duan të mirën Kosovës dhe ardhmërisë së Kosovës”, përfundon Safet Gërxhaliu.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...