Shqiptarët e Kroacisë

Diaspora

Shqiptarët e Kroacisë

Nga: Ermina Lekaj Prljaskaj Më: 21 tetor 2019 Në ora: 23:08
Kopertina e revistës

​Sipas njehsimeve të përafërta, sot në Kroaci ka rreth njëzet mijë shqiptarë. Pjesa më e madhe e tyre kanë ardhur në kohën e Luftës së Dytë Botërore dhe në kohën e luftës së fundit në Kosovë. Sot në Zagreb ka afër katër mijë shqiptarë, ndërsa me kënaqësi dëgjova, që më thanë se nuk është e vërtetë që nuk ka më asnjë nga arbëreshët e dikurshëm të Zarës, siç është shkruar ndonjëherë te ne. Mendohet se pesëqind prej tyre e flasin lirisht dialektin arbënesh, ndërsa disa mijëra të tjerë e njohin. Shqiptarët e Kroacisë nuk mund të mos e ndiqnin me interes vitin jubilar të Skënderbeut dhe kishin vendosur të ftonin nga Shqipëria dy veta për ta mbyllur me ligjërata lidhur me figurën e heroit kombëtar. Bashkë me mua ishte edhe dr. David Hosaflook-u, drejtori i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante në Tiranë.

Takimi i parë u bë në sallën e Qendrës së gazetarëve në Zagreb më 18 dhjetor. Për pjesëmarrësit ishte kënaqësi e veçantë, që kishte ardhur ambasadori i Shqipërisë në Kroaci, z. Riza Poda me të shoqen, si edhe sekretarja e parë e ambasadës së Kosovës në Kroaci, zonja Ifete Çeku, për të cilën nuk mund të mos e them, se është e motra e gjeneralit të njohur Çeku. Ndërsa për zonjën Ermina Lekaj Prljaskaj është pak të pohohet se ajo është deputete në parlamentin e Kroacisë. Është pak, sepse ajo është zgjedhur më 2015 si përfaqësuese e gjithë pakicave kombëtare në Kroaci. Në të vërtetë, pjesëtarët e pakicave të tjera janë shumë herë më të mëdha në numër se shqiptarët, por ata ishin të përçarë dhe fryma e solidaritetit të kandidates shqiptare e bëri atë fituese. Ka mbaruar fakultetin e drejtësisë në Rijekë, domethënë ka përgatitjen e nevojshme për një ligjvënës, kryen një veprimtari të gjallë për detyrën dhe është edhe bashkëthemeluese e Shoqatës kulturore-artistike Shota në Rijekë. Ndërsa mua më bën përshtypje veçan Doracaku gjuhësor kroatisht-shqip, të cilin e ka botuar vitin e kaluar, një libër bashkëbisedimi që nga përshëndetjet e deri te sportet

Ftesën na e kishte bërë Bashkësia shqiptare e qytetit të Zagrebit dhe prefekturës së Zagrebit. Ajo është degë e Unionit të shqiptarëve në Republikën e Kroacisë, i cili pati në fillim kryetar Nevzat Kadiun dhe nënkryetare Drita Ivezajn, kurse sot është z. Esad Çollaku. Më parë quhej Bashkësia Shqiptare në Republikën e Kroacisë dhe më 28 nëntor 1992 nxori numrin e pa Maqedoirë të revistës “Informatori”, që vijon të botohet edhe sot. Ndërkaq, organizimi i shqiptarëve është mjaft i hershëm. Në rrethanat e njohura të Federatës Jugosllave, shqiptarët e Kosovës e të Maqedonisë e gjenin më të përshtatshme të ndiqnin studimet e larta në Kroaci.

Ata themeluan më 1962 Shoqatën “Shkëndija” si klubi i studentëve në Kroaci, sepse nuk do të mund të vepronin, po të quheshin klubi i shqiptarëve. Sekretari i parë ka qenë studiuesi i njohur Zef Mirdita, i cili ishte edhe ligjërues në Universitetin e Zagrebit (vdiq më 2016). Kryetar sot është Behar Mullajupi, punëtor social. Bashkësia e Zagrebit është ngritur që më 1992 dhe nga viti 2015 kryetar është z. Sejfedin Prekazi, specialist i shtypshkrimit, i cili bën punën kryesore për botimin e “Informatorit”.
E kërkonte rasti që të përshëndesnin me radhë ambasadori shqiptar, sekretarja e ambasadës së Kosovës dhe deputetja shqiptare. Pas fjalës sime për figurën e Skënderbeut në letërsinë e vendeve Veriore, mbajti ligjëratën dr. D. Hosaflook-u. Ai, mes të tjerash, ka përkthyer anglisht librin e parë të Marin Barletit “Rrethimi i Shkodrës”. E vlen të vihen në dukje dy anë me një vështrim të ri. Në radhë të parë, ai theksoi rastet kur Barleti e ka përmendur Skënderbeun pesë vjet përpara se të botonte librin e tij të njohur.
E ka përmendur si bashkëkohës, ndërsa vetë ishte luftëtar në rrethimin e Shkodrës dhe shihte nga muret e kështjellës së Rozafës, se si turqit derdhnin topat për ta goditur. Studiuesve tanë nuk u kishte tërhequr vëmendjen ky fakt. Ana tjetër lidhet me zbulimin kohët e fundit në Paris të dorëshkrimit të kësaj vepre, që e çon pas datën e hartimit më 1479, domethënë vetëm dhjetë vjet pas vdekjes së Skënderbeut. Këto të dhëna u japin më shumë vërtetësi veprave të Marin Barletit. Ligjëratën tjetër e mbajti prof. dr. Martin Berishaj, antropolog, ligjërues në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Ljubljanës dhe drejtor i Institutit për Studimet Shqiptare në kryeqytetin e Sllovenisë. Siç shihet, rasti i solli edhe përfaqësues të shqiptarëve nga shteti tjetër fqinjë. Tema e tij ishte pak e papritur: një vështrim nga pikëpamja matematike, por i bërë nga ana e specialitetit të tij. Ai tregoi llogaritjet për vazhdimësinë e brezave, që mund të ndihmojnë për të përcaktuar më mirë kohën e myslimanizimit të shqiptarëve pas Skënderbeut.

Në Slloveni është edhe Heset Ahmeti, kryetar i Shoqatës kulturore të shqiptarëve të Istries sllovene “Iliria” në Koper, themeluar njëzet vjet më parë. Qëllimi i saj është të bëjë të njohur identitetin kombëtar historik e kulturor të shqiptarëve në atë vend dhe boton revistën “Iliria”. Numri 5 i saj i kushtohet artistit shqiptar të Rilindjes, Viktor Karpaçit. Aty ka njoftime, se shqiptarët pas vdekjes së Skënderbeut nuk mërguan vetëm përtej detit, por edhe në veri deri në Istrie. Familja Bruti erdhi nga Shqipëria në shek. XVI dhe Pallati Bruti sot është ndërtesa e bibliotekës. Në Koper ka një rrugë “Udha shqiptare”, italisht Calle albanese dhe kroatisht Albanska ulica. Është e nevojshme të jepet diçka në këto tri gjuhë të pranishme, madje edhe vetë revista botohet në të tria gjuhët. Një pikturë e Karpaçit, që nuk është përmendur në Fjalorin tonë enciklopedik, paraqet kështjellën e Shkodrës, të kërcënuar nga osmanët pas vdekjes së Skënderbeut. Kurse një numër i posaçëm, numri 4, ka dalë me titullin “Gjaku i Skënderbeut në Koper”.

Heset Ahmeti e ka hapur me shkrimin “Shqiptarët kemi ndërtuar dhe pasuruar Koperin gjatë gjithë historisë së qytetit”. Shumica e faqeve janë për familjet fisnike të qytetit. Takimin e drejtoi Dorothea Kerni, drejtoresha e Bibliotekës Qendrore Shqiptare në Zagreb që nga viti 1999, ndërsa vetë biblioteka është themeluar më 1995. Menjëherë të vjen ndër mend emri i balerinit të njohur shqiptar, Iliri Kernit. Ai më tregon se pas tre vjetësh në Francë kishte ardhur në Zagreb më 1994 deri më 2013, kur u kthye në Tiranë si drejtor i TOB-it deri më 2016, ndërsa tashmë janë sërisht si familje në Zagreb. Nuk mund të renditen udhëtimet e tij të panumërta për të dhënë shfaqje nga Italia në Japoni e nga Norvegjia në Afrikë. Mësimi plotësues i gjuhës shqipe në Zagreb në dy shkolla për nxënësit shqiptarë ka filluar më 1997. Tashmë ka mjaft shkolla të tilla nëpër vend. Në fillim të dhjetorit 2017 në Velika Gorica u mbajt seminari rajonal i mësuesve të mësimit plotësues të shqipes. Merrnin pjesë mësues nga Gjermania, Austria, Sllovenia, Italia, Greqia, Zvicra dhe Kroacia. Seminari i parë ishte mbajtur në Zagreb më 2014 vetëm me mësuesit e shqipes në Kroaci. Në shkurt do të nisin ligjëratat për shqipen në Fakultetin filozofik të Universitetit të Zagrebit. Edhe në Tiranë do të jepet kroatishtja për t’u bërë në të ardhmen një departament.

Viti jubilar i Skënderbeut ishte hapur në janar me paraqitjen e librit “Figura e Skënderbeut në Kroaci”, një përmbledhje shkrimesh nga një varg autorësh. Ndërkaq, veprimtaritë e bashkësive shqiptare janë mjaft të gjera. Vetëm në këtë vit në Qendrën kulturore shqiptare u paraqit libri “Treni për Bllacë” i I. Zajmit e F. Landit, e po ashtu me raste janë paraqitur librat “Statutet e Shkodrës”, “Shqiptarët dhe unë” etj. Sërish do të shënoj veçan “Librin e mësimit të së folmes arbënisht” nga dr. Maksimiliana Barançiq, me një fjalorth arbënisht-kroatisht dhe kroatisht-arbanisht. Ajo vetë e flet shkëlqyeshëm arbënishten, ndërsa si doktoraturë ka mbrojtur “Leksikoni i të folmes arbënishte në Zarë”, si një pasqyrë e kontakteve gjuhësore. Nga ana tjetër, është festuar 10-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ku mori pjesë Ansambli Popullor i Shqipërisë; është përkujtuar përvjetori i vrasjes së studiuesit të njohur Milan Shuflajit; është organizuar tryeza Roli i gruas shqiptare gjatë historisë, ndërsa më 2 nëntor në Karlovac u mbajtën ditët e kulturës shqiptare në Republikën e Kroacisë.

Pas takimit dolëm për një shetitje në Zagrebin e natës, të zbukuruar plot drita me rastin e festave të fundit të vitit. Mua më tërheqin sidomos ballinat e ndërtesave të vjetra, me stilin e rëndë klasik plot kolona e shtatore të kohës austro-hungareze. Ato janë ndërtesat e qendrave më të rëndësishme kulturore, si teatro, opera, muze, biblioteka dhe nuk do të ishte keq, që disa njerëz tanë të kulturës t’i vizitojnë dhe të fitojnë një përfytyrim më të mirë se çfarë është trashëgimi kulturore. Mbi to ngrihen kupolat e kishave të stilit gotik në trajtë konike me shtizë në majë, ndërsa katedralja i ka dy paralelisht drejt qiellit.

Të nesërmen u nisëm për Rijekë nëpër një fushë të pamatë, prandaj rruga është shpesh krejt e drejtë. Duke iu afruar bregdetit ajo fillon të ngjitet dhe del sipër qytetit, pastaj zbret tatëpjetë. Befas në një vend sipër të del përpara një urë midis dy kodrave të larta dhe sikur janë mbi të shfaqen një varg ndërtesash shumëkatëshe. Pastaj poshtë nga qyteti e sheh se vërtet janë shumë lart mbi kodra. Pjesa e vjetër qendrore e Rijekës është në të dy anët e lumit dhe prandaj quhet thjesht Rijeka, që do të thotë lumi dhe italisht po me këtë kuptim quhej Fiume. Dikur Austria zbriste deri te bregu u djathtë i lumit dhe prandaj janë po ato shtëpi të stilit klasik si në Zagreb. Lumi derdhet në det i ndarë në dy pjesë, ndërsa në brigjet janë vargjet pa fund të varkave të vogla, por diku edhe jahte luksoze. Në krahun e majtë ka qenë pjesa nën zotërimin italian, prandaj edhe ndërtesat janë pak më ndryshe si arkitekturë.

Aty buzë lumit, ku nis bigëzimi i tij, u bë takimni në sallën e hotelit ‘Kontinental”. Deputetja, z. E. Prljaskaj mori mundimin dhe erdhi edhe në këtë takim, të cilin e hapi Ganiu, kryetari i Shoqatës së Rijekës. U përpoqëm që të mos përsërisnim të njëjtat gjëra dhe këtë na e lehtësuan pjesëmarrësit, të cilët bënë pyetje sidomos për gjuhën shqipe, historinë e saj e deri te problemet që paraqesin hamendësimet pellazgjike. Po ashtu pas takimit shetitëm në qytetin e mbrëmjes, të stolisur me shumë drita për festat. Të nesërmen u nisëm për Lubljanë drejt veriut, duke kaluar përmes kodrave të larta e maleve, nëpër të cilat siç na e shpjeguan, familje të tëra kanë kaluar duke hequr e vuajtur për të shpëtuar nga barbaria e fundit e shekullit XX në Ballkan. Prandaj të mbushet zemra, kur takohesh me shqiptarët, që sot janë mëkëmbur dhe i kanë mundësitë për të bërë një jetë kulturore të pasur, për të mësuar gjuhën amtare dhe për të përkujtuar rrënjët historike, të cilat më mirë se kushdo tjetër i mishëron Skënderbeu. (Burime nga Interneti. Zgjodhi për revistën „Shqiptari”: Baki Ymeri)

Shipkovica, gurbeti dhe Vllahia

Debati elektronik lidhur me çështjet delikate të fesë e të relacioneve interetnike, fyerjet monstruoze dhe etiketimet talibaniste të shtrigave të internetit në adresë të atyre që kanë një biobibliografi të shkëlqyer sa i përket afirmimit të Kosovës në botë, e bezdisin lexuesin e rëndomtë, veprimtarët e partive poltike, gazetarët dhe krijuesit e mirëfilltë. Për të harruar mesazhet e tyre primitive, po kalojmë nga primitivizmi në atdhetarizëm. Sipas do bisedave të kahmotshme me Idriz Sejdiun, kuptojmë se ndër banorët e parë të Shipkovicës, “sefte xhi kën dal n’gurbet”, e që paskan vajtur në këmbë, deri në Rumani, kanë qenë “mixha Bam, mixha Sefë ene Kasami”. Edhe “mixha Sidë”, sipas tij, “ka shkue n’kam, pi kto e n’Vllajak”. Këtë burime i konfirmon edhe një mërgimtar koprac i Zvicrës së pasur. “A ka ene shoum?”, i paska pyetur më i vogli, që shkon për herë të parë në kurbet me ta. “Çe ene çat kodër ta kapërcim, pa do mbrajm n’Vllajak”, i paskan thënë më të vjetrit, duke i dhënë kurajo përmes “mashtrimit”, gjoja se një ditë, pas gjithë atij rrugëtimi të gjatë, duke kaluar fusha, kodra e lumenj, më në fund do të arrijnë në veri të Danubit. Disa kanë punuar në kryeqendër, ndërsa të tjerët nëpër qytete e nëpër fshatra të Vllahisë.

Dina i Danës (Fahrudin Ramadani) ka punuar në Budë, nja 20 km. tejmatanë Bukureshtit. “E mbaj mend si sot. Shkuam me një katundar të Lisecit edhe kur zbritëm nga treni në Bukuresht, sa dolëm nga stacioni, e pamë Ademin e Avllahit dhe Ismëjlin e Lahit, duke shitur ëmbëlsira me shportë. Prej aty vajtëm te Hoda i Lisecit. Unë isha me opinga. Erdhi daja im, Raifi Xhemës, e më solli këpucë e tesha moderne. Buda ishte një katund i madh. Aty punonte edhe Dana i Vehapit, Dila i Nelës, dhe Fika i Lisecit. Daja im ishte shefi i tyre. Punova edhe unë nja tre vjet atje. Shkojshim nëpër fshatra, në njërën dorë me koshin me ëmbëlsira, ndërsa në dorën tjetër me kovën me bozë. Shisnim bozë, akullore, hallva, limunadë, sheqerka të larme, susam, kikirika etj. Fëmijët e të rriturit kënaqeshin me ëmbëlsirat tona. Fitimi i madh ishte asokohe, por më erdhi thirrja për ushtar. E lash kurbetin, erdha në vendlindje dhe na rrokën përpara partizanët e na dërguan deri në Slloveni, gjoja se për të dëbuar fashistët, por, pas planeve të tyre, fshihej një rol i dyfishtë: mënjanë për të trembur gjermanët e italianët, kurse në anën tjetër për t’i likuiduar shqiptarët, siç ngjau në Tivar e Dubrovnik më 1945”.

Rrëfimet e Fahrudinit të ndjerë, i konfirmonte edhe Mustafë Merxhani. Vëllau i këtij të fundit, qe martuar në brigjet e Detit të Zi, me një shqiptare të turqizuar, stërgjyshi i së cilës kishte ardhur nga Dibra në Rumani, qysh para 150 vitesh. Sipas do rrëfimeve tjera, ndër të parët banorë të Shipkovicës, që ka vajtur në Rumani, paska qenë xhaxhi Kadri, stërgjyshi i dr. Zeqir Kadriut. Për xhaxhin Kadri thonë se me fitimet e atjeshme, ka blerë gjysmën e trojeve të fshatit, pasuri prej së cilës kanë jetuar tri gjenerata, duke mbetur edhe për tri të tjera. Megjithatë, jo të gjithë ata që shkonin asokohe për fitim në këto vende (Bullgari, Rumani, Çekosllovaki etj.), ktheheshin të pasur. Kishte edhe të atillë, që i harxhonin paratë pas lavireve dhe ktheheshin me xhepa të zbrazët. Për ta, pleqt e fshatit thonin: “Ka shku kal e ka ardh magjar”. Për Batinë e Xhetës, thonë se u plak atje, dhe se e dinte më mirë rumanishten se sa gjuhën amtare, ngase pat ndenjur mbi 40 vjet në kurbet. “Sefte kur ka shku n’gurbet, e ka lan gjalin ende pa li. Kur vojn mbas pes vetësh pi Vllajake, memzi që e njeh gjalin e vet”. Ademi Avllahit, ishkryeplaku i fshatit, 18 vjet punoi si ëmbëltor në Bukuresht, 6 vjet pa ardhur fare në shtëpi

Shumica e bashkëfshatarëve tanë, ishin tregtarë të imtë, ëmbëltorë , rojtarë, muratorë, manifakturantë. Holuzi Danës pat punuar dhjetë vjet, duke shitur ëmbëlsira në komunën Domnesht, rrethi i Ilfovit. Vëllau i tij ushtronte të njëjtin profesion, në periudhën e Mbretërisë, në Urziçen. Hetemi Seferit, tetë vjet pat punuar në komunën Videle. Ismëjli Lahit me vëllaun e tij, Sejfedinin, shisnin arra e kikirika, bozë, akullore e llokum me ujë të ftohtë, në rrugën Kalea Vëkëreshti. Hebibi Uzahirit, Cani Hajrës, Gafuri Sidës, Rafia Tasinit, Jonuzi Memetit, Zeqirja Merxhani, Dana i Vehapit, e shumë të tjerë. Nga një çertifikatë zyrtare e bashkësisë islame lëshuar në emër të Ajvaz Vokës, (Bukureshtit, nr. 13/ 28 gusht 1936), kuptojmë se në kryeqendrën e Vllahisë, kanë punuar edhe Refik Omeri, Bajram Ziberi, Ismëjl Hajrullahi dhe Hakik Uzahiri. Idrizi Haqifit, Xhavit Abdia, Uzahiri Bislimit me dy vëllezërit e tij, pastaj Hakiki Çaushit, Velia i Qazës, Rahimi Ametit e do tjerë, kanë ushtruar profesionin e ëmbëltorit në Konstancë e rrethinë. Për këtë të fundit thonë se aq fodull ka qenë, saqë mbrohej nga dielli me ombrellë përgjatë verës, sa herë që shëtiste rrugëve të Konstancës. Ka dhe më por po e lëmë me kaq për t’ua uruar shqiptarëve Bajramin e Vogël, siç ua uronin dikurë, e jo Kurban/Bajramin siç trumbetojnë sot ata që tentojnë me kokëfortësi aziatike ti arabizojnë emrat, uratat dhe kremtet tona të shenjta. (Baki Ymeri, 1995)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat