Historia e fermerit amerikan

Diaspora

Historia e fermerit amerikan

Nga: Alfred Papuçiu Më: 5 shkurt 2020 Në ora: 09:30
Alfred Papuçiu

Atë ditë na ftuan të shkonim tek ferma e një miku që ndodhej disa dhjetra kilometra jashtë Nju Jorkut. Pas asaj jave të lodhshme në Asamblenë e Përgjithshme dhe komisionet e OKB-së, ky ishte një argëtim që nuk mund të refuzohej. Zakonisht, Ishim mësuar që ditëve të fundit të javës të dilnim diku në Nju Jork, qytet i mahnitshëm, jo vetëm për grataçielat, por edhe për parkun e madh që i jepte oksigjen atij qyteti gjigand, për ato rrugë të drejta, për ata njerëz të çliruar nga çdo kompleks, që dikush vraponte edhe pse ishte mësuar të hante shumë, dikush kishte veshur pardesynë, edhe pse ishte pak kohë e vrejtur dhe nuk dukej aspak për shi, apo dikush tjetër përqafohej me të dashurën e tij, pa e çarë kokën se ndonjeri rreth tij do ta shihte. Më pëlqente të dilja në Nju Jork dhe megjithëse më kishte marrë malli për familjen e sidomos për fëmijët, ndjeja një çlodhje të veçantë. Shpesh, ashtu në intimitet, diskutoja me ndonjë koleg të besuar. "Kur do të bëhet ndonjëherë vendi ynë si këtu".

kujtohet njëherë kur shkoja në punë në qytetin tim ku banoja zakonisht, ishte fillimi i shtatorit, kisha veshur pardesynë dhe dikush më ndaloi: "Ore shok, pse e ke veshur pardesynë. Nuk është koha për pardesy. Asnjeri s'e ka veshur". Nuk ju përgjigja por vazhdova rrugën time. Nuk e kuptoja pse vazhdonte një meskinitet i tillë, ku çdonjeri në një mënyrë apo tjetër donte të ndërhynte në botën tënde të brendshme, në veshjen tënde. Ndërsa këtu në Amerikë, gjithëseicili vepron si e mendon, natyrisht pa i kaluar normat e qytetarisë.

Le të kaloj tani tek nisja për tek ferma jashtë Nju Jorkut, atë fund jave të vitit 1983.Do të shkonim tek "Uashington Siti", një qytezë e vogël, pranë të cilës ishte një Uashington në miniaturë. Kur u afruam tek ferma, na u duk diçka madhështore. Ishte e madhe, e mbjellë me misër. Pranë një shtëpie dykatëshe, ndodhej stalla e madhe e lopëve. Gjithçka e mekanizuar. Pronari, një burrë simpatik, nga Dibra e Madhe, që kishte mbaruar për mësues në vendin e tij, e bënte me shumë qef këtë zanat këtu. U ulëm pranë një tryeze me të gjitha të mirat. Kur pas një çasti, miku ynë afrohet me një fermer të ri amerikan, rreth të tridhjetave, i cili u prezantua me ne. Ishte simpatik dhe dukej se e donte shumë profesionin e fermerit. Na tregonte se punonte tepër, se kishte disa probleme me konsorciumet e mëdha lidhur me prodhimin e qumështin, por në përgjithësi gjithçka shkonte mirë. Për një çast, biseda u rrotullua tek amerikanët, tek temperamenti i tyre dhe ashtu padashur tek qyteti i bukur i Nju Jorkut. Fermeri i ri, kur iu drejtua pyetja se do të preferonte të qëndronte këtu apo të shkonte në Nju Jork, u përgjigj:

Të them të vërtetën, unë nuk kam shkuar kurrë në Nju Jork. S'kam pse të shkoj. Këtu jeta është më e mirë, më e qetë dhe unë jam mësuar. Ndoshta pas disa vitesh edhe do të shkoj ndonjëherë, por tani kam shumë punë këtu e nuk mendoj të lë punët e fermës. E shikonim me habi atë fermer dhe padashur biseda kaloi tek bukuritë e jetës së një ferme aty në "Uashington Siti".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat