Qeveria finlandeze lehtëson karantinën me vendet e huaja - Shqipëria dhe Kosova ende të kufizuara - Bota Sot
Qeveria finlandeze lehtëson karantinën me vendet e huaja - Shqipëria dhe Kosova ende të kufizuara

Diaspora

Qeveria finlandeze lehtëson karantinën me vendet e huaja - Shqipëria dhe Kosova ende të kufizuara

Nga: Lili Verdha Më: 8 korrik 2020 Në ora: 19:02
Konferenca per media

Helsinki- Në Mbledhjen e sotme të Qeverisë Finlandeze u shqyrtua mundësia e heqjes së kufizimeve të vajtje-ardhjeve me disa shtete anëtare të Bashkimit Europian (BE), si edhe me vende të treta jashtë BE-së duke filluar nga 13 Korriku. Vendimi u njoftua gjatë Konferencës së Shtypit të ministres së Brendëshme, Maria Ohisalo, dhe ministrit të Jashtëm, Pekka Haavisto.

Veç Danimarkës, Islandës, Norvegjisë dhe 3 Vendeve Balltike (Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë), duke filluar nga e Hëna vajtje-ardhjet do të jenë të mundura edhe në Andorë, Austri, Belgjikë, Gjermani, Greqi, Hollandë, Hungari, Irlandë, Itali, Lihtenshtajn, Maltë, Qipro, San Marino, Sllovaki, Slloveni, Vatikan dhe Zvicër.

Nga e Hëna do të lejohen udhëtimet e domosdoshme (jo turizmi !!) edhe në Algjeri, Australi, Gjeorgji, Japoni, Kinë, Kore e Jugut, Ruandë, Tajlandë, Tunizi, Uruguaj dhe Zelandë e Re.

Ndryshe nga njoftimi i mëparshëm i BE-së për lëvizje të lirë me 14 shtete brënda dhe jashtë Komunitetit, pas shqyrtimit të statistikave aktuale të pandemisë, Qeveria Finlandeze njoftoi se nuk do t'i heqë akoma kufizimet e lëvizjeve me Britaninë e Madhe, Bullgarinë, Çekinë,  Kroacinë, Luksemburgun, Monakon, Poloninë, Portugalinë, Rumaninë, Spanjën dhe Suedinë. Po për arsye të rasteve të larta të të infektuarve për 100 mijë banorë, Finlanda, ndryshe nga rekomandimi i BE-së, nuk do t'i heqë ende kufizimet e lëvizjeve as me këto vende jashtëkomunitare: Kanadanë, Malin e Zi, Marokun dhe Serbinë.

Të dy ministrat theksuan se Qeveria do t'i ndjekë me kujdes zhvillimet ditore e javore të pandemisë në vëndet e tjera, duke bërë përditësimet e nevojshme për hapjen ose edhe mbylljen e lëvizjeve vajtje-ardhje vetëm për shërbime pune ose edhe për turizëm, në rast se numri i të prekurve nga COVID-19 nuk do ta kalojë shifrën 8 për 100 mijë banorë gjatë 2 javëve më të fundit të marra në shqyrtim.

Image
Harta
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat