Emigranti nga Fieri: Si e krijova aplikacionin juridik “Çaj mali”, në ndihmë të shqiptarëve në Itali - Bota Sot
Emigranti nga Fieri: Si e krijova aplikacionin juridik “Çaj mali”, në ndihmë të shqiptarëve në Itali

Diaspora

E diel, 18 nëntor 2018

Emigranti nga Fieri: Si e krijova aplikacionin juridik “Çaj mali”, në ndihmë të shqiptarëve në Itali

Më: 13 shtator 2018 Në ora: 19:49
Ermir Lushnjari që prej gati dy dekadash jeton në Itali, ka marrë një nismë shumë interesante duke hapur një aplikacion që quhet “Çaj mali”

Të gjithë e dimë që marrja e dokumenteve në institucione është një sorollatje dhe duhen ditë të tëra për të mbaruar punë. Por kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Edhe për emigrantët shqiptarë në Itali që duan të marrin nënshtetësinë italiane apo dhe kërkojnë të bëjnë bashkim familjar u duhet të marrin dokumente nëpër institucione të ndryshme. Lidhur më këto proceduara shqiptari Ermir Lushnjari  që prej gati dy dekadash jeton në Itali, ka marrë një nismë shumë interesante duke hapur një aplikacion që quhet “Çaj mali”.

Lushnjari më profesion avokat u bë shtetas italian në vitin 2011 dhe aktualisht punon për gjykatën e Verbanisë. Në një intervistë për tvklan.al na ka rrëfyer gjerë e gjatë sesi lindi ideja për këtë aplikacion, sa ju vjen ai në ndihmë emigrantëve dhe pse është quajtur “Çaj mali”.

Ermiri ka emigruar në Itali si shumë shqiptarë të tjerë, duke ikur në mënyrë ilegale dhe i është dashur të bëjë punë nga më të ndryshme që të ndihmonte familjen e tij. Edhe pse ka qenë i mitur ai ka punuar në lavazh apo transport mobiliesh, pa menduar farë se një ditë do të bëhej një jurist dhe se do të krijonte një aplikacion që do u vinte në ndihmë bashkatdhetarëve të tij, por edhe emigrantëve të tjerë. Edhe mediat italiane nuk kanë hezituar të publikojnë artikuj lidhur me aplikacionin “Çaj mali”, që tashmë është një instrument ndihmës për të marrë nënshtetësinë italiane.

Sa vite keni që keni emigruar në Itali?

Jetoj në Itali nga 1999 dhe gjithmonë kam banuar në Verbania, një qytet që ndodhet në veri të Milanos. Në ato vite në Shqipëri gjendja ekonomike, por edhe rendi ishin në krizë dhe familja ime, si shumë të tjera vendosi të largohet nga Fieri. Kur vajta në Itali mendimi i parë ishte të punoja për të ndihmuar ekonomikisht familjen time dhe të merrja “permesso di soggiorno”.

Image

Punët që keni bërë përpara se të bëheshit avokat?

Në 1999 isha akoma 15 vjeç dhe s’mundet të punoja me kontratë sepse ligji parashikon si moshë për të filluar 16 vjeç. Gjatë kësaj periudhe kam bërë punë të ndryshme si në lavazh apo transportim mobiliesh kur personat ndryshonin banesën dhe i duhej dikush që ti ndihmonte me plaçkat. Në këto raste pata fatin që njihja shumë njerëz të mirë të cilët më këshillonin të studioja në shkollë. Më kujtohet që menjëherë, pasi mora “permeson di soggiorno” u regjistrova në bibliotekë dhe fillova ta frekuentoja në fundjavë.

Hapi tjetër u interesova për të nisur shkollën e mesme dhe kërkova ta bëja me korrespondencë pasi s’mundesha të lija punën. Ndërkohë unë kisha mbushur 16 vjeç dhe fillova të bëja marangozin.

Kur e nisa këtë profesion isha punëtori më i ri i fabrikës dhe kur u largova pas 11 vjetësh isha akoma punëtori më i ri në moshë, por i pari nga përvoja sepse kolegët e mi nuk kishin durim dhe largoheshin nga puna. Për 11 vjet puna dhe gjatë kohës së lirë ose në fund javë studioja, në fillim në shkollën e mesme e më vonë universitet për jurisprudencë.

Kur u regjistrova në universitet, u regjistrova në gjykatë për të bërë përkthyesin ligjor vetëm për të shtunën sepse gjatë javës punoja si marangoz. Më kujtohet një të  shtunë kur unë isha akoma në fabrikë dhe më telefonuan nga gjykata se kishin nevojë për mua. Atëherë mora leje nga puna dhe vajta në gjykatë, pasi mbarova u ktheva në fabrikë që të përfundoja punën e lënë përgjysmë.

Por le të ndalemi, pak tek aplikacioni që quhet “Çaj mali”, çfarë ju shtyu që të ndërmerrnit një nismë kaq interesante?

Një ditë vura re një blog ku shumë të huaj (edhe shqiptarë sigurisht) shkruanin pyetje në lidhje me dokumentet në Itali, si për shembull: bashkimi familjar, marrja e shtetësisë italiane apo dëbimet nga zona Schengen dhe kërkonin një përgjigje. Askush nuk përgjigjej por edhe kur rrallë herë dikush e bënte përgjigjet nuk i shin të plota dhe unë fillova ti përgjigjesha secilit prej tyre. Më vonë ishin ata që më kërkonin informacione online. Aty kuptova që imigrantët kishin shumë nevoja dhe pak shërbime.

Mendova të realizoja një aplikacion për të marrë shtetësi italiane, i cili mos të kufizohej vetëm në dhënien e informacionit por të kryente edhe veprime si për shembull:  monitorimin e praktikës, dërgimi i dokumenteve dhe kërkesave në zyrat përkatëse. Këto janë shërbime që i huaji mund t’i kryej edhe vetëm pa ndihmën e avokatit dhe falas.

Image

Pse vendosët ta quanit “Çaj mali”?

Kisha shumë ide për emrin dhe doja një emër që kuptimi të ishte thjeshtësia dhe dobia e përdorimit. “Çaj mali” i plotëson këto kritere sepse është i thjesht në përgatitje dhe i dobishëm për shëndetit. Edhe në logo e aplikacionit unë përcjell po të njëjtën ide, flamuri i Bashkimit Europian ku në vend të yjeve kam stilizuar lulen e çajit.

Sa kohë ju është dashur që ta vini në punë?

Gati 10 muaj për të marrë lejet përkatëse, por edhe për të përshtatur tekste brenda aplikacionit. “Çaj mali” është një aplikacion juridik dhe s’ka qenë e lehtë të bëhej i kuptueshëm nga të huaj. Sa herë që shkruaja një tekst pyesja imigrantët nëse e kuptonin dhe kështu hap pas hapi i gjithë materiali që po realizoja bëhej i qartë për të gjithë të huajt, shqiptar apo kombësive tjera.

Si duhet t’ju gjejnë emigrantët?

Çdo kush që shkruan në play store ose app store fjalën kyçe “cittadinanza italiana” do dali “Çaj mali”. Ky app ka edhe avantazhin se s’ka nevojë për shumë memorie që të shkarkohet. Nëse kanë pyetje të veçanta më gjejnë edhe në Facebook ose tek web sitecajmali.eu

Ju keni thënë që ky aplikacion nuk është vetëm për emigrantët shqiptarë  që do të thotë se aplikacionin tuaj mund ta përdori cilido emigrant nga shtete të ndryshme?

Po çdo emigrant që dëshiron shtetësinë italiane mund ta përdori. Unë brenda aplikacionit kam përdorur një gjuhë të thjesht e kuptueshme edhe nga fëmijët, prandaj app im shkarkohet edhe nga rumun, maroken ose kombësi tjera. Më pëlqen kur nisin komplimentet e tyre përdoruesit e app shkruajnë në gjuhën tyre.

A mendoni se do të keni sukses?

Objektivi im është të ndihmoj personat që kanë nevojë. Dikur ne shqiptarët konsideroheshim qytetarë të serisë B, por sot ne jemi të integruar në Evropë dhe të huajt me kombësi tjera na marrin si shembull për tu ndjekur. Njoh shumë shqiptarë që si mua kanë mbaruar universitetin dhe punojnë nëpër Evropë. Ka edhe sipërmarrës që kanë hapur aktivitete ekonomike dhe kanë punësuar shqiptarë, italianë por edhe të huaj tjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test