Gazeta kroate: Varrezat masive në Serbi janë provë se shteti qëndron pas krimit

Dokumentare

Gazeta kroate: Varrezat masive në Serbi janë provë se shteti qëndron pas krimit

Nga: B.S. Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 12:57
Ana Bërnabiq e Aleksandar Vuçiq

Ndonëse kërkimet në guroren serbe Kizhevak, e cila gjendet në komunën e Rashkës afër kufirit me Kosovën, ka filluar në vitin 2015, vetëm disa ditë më parë, falë imazheve satelitore, një tjetër varr masiv u zbulua. Megjithëse nuk është konfirmuar ende, 15 deri në 17 trupa të shqiptarëve të Kosovës nga fshati Rezallë i Kosovës, të cilët u qëlluan për vdekje më 5 prill 1999, besohet të jenë varrosur në varrezën e re masive. Sipas raportit të Fondit për të drejtën humanitare, pjesëtarët e suhtrisë e të policisë atë ditë kanë hyrë në fshat, i kanë dëbuar të gjithë vendasit dhe më pas i kanë pushkatuar 39 prej tyre. Tre fëmijë ishin mes të pushkatuarve, dhe viktima më e vjetër ishte 97 vjeç. Megjithatë, dy vendas u mbijetuan të shtënave, duke u mbuluar nga trupat e burrave të vdekur. Të dy më pas zbuluan gjithçka që kishte ndodhur.

Në frigoriferët ushtarakë

Edhe më i frikshëm është fakti që kjo është varreza e pestë masive me trupat e shqiptarëve të Kosovës të gjetur në Serbi që nga përfundimi i luftës në Kosovë. E para prej tyre u gjet në vitin 2001 në Batajnicë, vetëm 15 kilometra nga qendra e Beogradit. 

Atje, në vendin e stërvitjes së policisë, u varrosën 744 trupa. Në të njëjtin vit, një varrezë masive me 61 trupa u gjet në Serbinë lindore, në Petrovo Sello. Në vitin 2001, një varrezë masive që përmbante 84 trupa u gjet afër Liqenit të Perushaqit, dhe në vitin 2013, një varrezë e katërt masive me 52 trupa të shqiptarëve të Kosovës u gjet afër Rudnicës, vetëm disa kilometra larg gurores së Kizhevakut. 

- Deri më tani, eshtrat e 941 personave janë gjetur në varre masive në Serbi, nga 2001 deri më sot. Këto janë të gjitha eshtrat e shqiptarëve nga Kosova që u vranë në Kosovë, dhe më pas u transportuan dhe u varrosën fshehurazi në Serbi. Meqenëse ka 1642 më shumë njerëz në listën e të zhdukurve në Kosovë, nuk do të na habisë nëse gjejmë edhe disa varre masive në Serbi - thotë drejtori ekzekutiv i Qendrës për të drejtën humanitare Ivana Zhaniq.

Sipas saj, e gjithë kjo tregon për mënyrën sistematike të punës, e cila filloi me vrasje në terren, pasuar nga pastrimi i terrenit, dhe së fundmi zhvendosja e trupave dhe varrosja në varre masive me qëllim të fshehjes së krimeve dhe gjetjes së trupave. Ajo e shpjegon këtë me faktin se në transportin e trupave, nga Kosova deri në, për shembull, Batajnicë, e cila është një distancë prej disa qindra kilometrash, të gjitha logjistikat ishin përpunuar dhe se kjo nuk mund të bëhej brenda natës.

- Udhëheqja politike e atëhershme e Serbisë, e kryesuar nga Slobodan Millosheviqi, ishte përgjegjëse për të gjithë operacionin, si dhe Ushtria e atëhershme Jugosllave, MUP, shërbimet e sigurisë… Frigoriferët e ushtrisë ishin në veprim, të cilët transportonin trupa, dhe të cilëve policia ua lironte rrugët, sepse kishin një urdhër të tillë. Duke arritur në vend, trupat u varrosën në varret e para-gërmuara. E gjithë kjo ishte një përpjekje për të fshehur trupat, dhe kështu të mbulonte krimet, dhe kështu të parandalonte hetimin e bashkësisë ndërkombëtare. Ata llogaritën se askush nuk do t'i kërkonte ose do të ishte në gjendje t'i gjente trupat e të vrarëve në Serbi - tha Zhaniq.

Askush nuk është gjykuar

Është gjithashtu interesante që krimet e luftës në fshatin Rezallë ndodhën në zonën e përgjegjësisë së Brigadës së 3-të të motorizuar të ushtrisë së atëhershme Jugosllave, komanduar nga Gjenerali Lubisha Dikoviq, i cili nga viti 2011 deri në vitin 2018 ishte shefi i Shtabit të Ushtrisë serbe. 

- Askush nuk është ndjekur penalisht për ekzistencën e varreve masive në territorin e Serbisë, përfshirë gjeneralin Dikoviq. Fondi vazhdimisht ka apeluar për këtë, por pa rezultat. Fakti që gjenerali Dikoviq komandonte zonën e përgjegjësisë ku ishin kryer krimet dhe rehabilitimi i terrenit flet për përgjegjësinë e tij. Si komandant, ai duhej të dinte se një numër i madh civilësh ishin vrarë dhe se trupat e tyre ishin transportuar në Serbi - tregon Zhaniq. 

Është gjithashtu interesante që udhëheqësit e Serbisë ende heshtin për faktin se një varrezë tjetër masive me eshtrat e shqiptarëve nga Kosova është gjetur në territorin e saj. Deri më tani, as kryetari i shtetit Aleksandar Vuçiq, as kryeministrja Ana Bërnabiq e as ndonjë nga ministrat në Qeveri nuk kanë thënë një fjalë të vetme. Por është Komiteti i punëve të jashtme i Dhomës së përfaqësuesve të ShBA-ve, i cili shkroi në llogarinë e tij zyrtare në Twitter se "trupat e varrosur në Serbi ende po gjenden, viktima të spastrimit etnik të Millosheviqit në Kosovë". Ata gjithashtu deklaruan se për shkak të varreve masive dhe fshehjes së krimeve, askush nuk u mor në përgjegjësi para gjykatave në Serbi, shkruan gazeta kroate "Veçernji list".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat