​Hamami i vjetër i Durrësit do t’i rikthehet publikut

Durrësi

​Hamami i vjetër i Durrësit do t’i rikthehet publikut

Më: 12 gusht 2022 Në ora: 09:11
Foto ilustrim

Hamami i vjetër po shndërrohet në një tjetër pikë turistike në Durrës. Tërmeti i vitit 2019 la pas dëmtime edhe në këtë objekt të shek. XVII-XVIII.

Pas përforcimit të strukturës, restaurimit, riveshjes së dyshemesë, do të shtohet edhe elementi dixhital për të treguar historinë e objektit. Ky rijetësim mundësohet nga programi EU4Culture, zbatuar nga UNOPS.

Eu4Culture dhe UNOPS kanë mundësuar restaurimin e themeleve, mureve e dyshemesë me materiale origjinale. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka inspektuar nga afër punimet, dhe në rrjetet sociale ndau lajmin se Hamami do të kthehet në qendër tërheqëse për turistët, duke qenë se do të ketë elementin dixhital. Një tjetër monument antik, që është gati për t’iu rikthyer publikut, është Kulla Veneciane, po në Durrës.

Një nga monumentet më simbolike të qytetit të Durrësit, Kulla Veneciane po shndërrohet në një qendër informacioni dhe interpretimi të historisë së qytetit, për vizitorët. Programi EU4Culture financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës.

Me një buxhet total prej 40 milionë euro, EU4Culture shtrihet në të gjithë territorin e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 me ndërhyrje të planifikuara në një sërë objektesh të Trashëgimisë Kulturore. /atsh/

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat