Durrësi nën ‘pushtetin e ujit’, probleme dhe përmbytje në rrugët e qytetit

Durrësi

Durrësi nën ‘pushtetin e ujit’, probleme dhe përmbytje në rrugët e qytetit

Më: 20 nëntor 2022 Në ora: 10:21
Durrës

Përkeqësimi i kushteve atmosferike përgjatë të gjithë bregdetit ka shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve, por dhe këmbësorëve në Durrës.

Si rezultat i erërave te forta me drejtimin jug-juglindje, zonat bregdetare janë përfshirë nga era me shpejtësi 15-20 m/s duke shkaktuar përgjatë brigjeve shqiptare, sipas Drejtorisë së Përgjithshme Detare, dallgë me  lartësi 1.80-3.50 metra. Pas shtyrjes së orarit të nisjes mbrëmjen e vonë të së shtunës, tragetet rifilluan lundrimet drejt Barit në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa tragetet nga Bari kanë mbërritur në kohë rreth orës 08:00.

Autoritetet kanë kërkuar bashkëpunimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë që të marrin të gjitha masat e nevojshme për të qenë të sigurt dhe parandaluar çdo rrezik të mundshëm për shkak të këtyre kushteve të përkeqësuara të motit, ndërsa lajmërojnë se përmirësimi i situatës  meteorologjike do të jetë pas orës 10:00 të së martës, 22 nëntor. Anijet e tonazhit të vogël, përfshirë sektorin e peshkimit duhet të presin këtë datë për të vijuar lundrimet dhe gjuetinë në det.

Ndërkohë, në qytetin e Durrësit dhe fshatra, reshjet intensive të shiut përgjatë natës dhe paradites së sotme kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve. Lagjet më problematike janë ato në afërsi të stadiumit dhe ujësjellësit të Durrësit ku uji ka pushtuar kryqëzimet dhe është ngjitur në trotuare. Problematike situata paraqitet dhe në disa rrugë dytësore të Shkozetit e Plazhit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat