Përplasën për vdekje një qytetar në Sukth të Durrësit, arrestohen dy drejtuesit e mjeteve

Durrësi

Përplasën për vdekje një qytetar në Sukth të Durrësit, arrestohen dy drejtuesit e mjeteve

Më: 3 prill 2023 Në ora: 12:15
Foto nga vendi i ngjarjes

Aksidenti me vdekje në Sukth, viktima u përplas nga dy automjete të ndryshme, drejtuesit e të cilave u larguan nga vendi i ngjarjes pa i dhënë ndihmë.

Policia rrugore e Durrësit zbardh ngjarjen dhe ndalon dy drejtuesit e automjeteve që aksidentuan për vdekje pasagjerin e motoçikletës.

Pas përplasjes së një motoçiklete nga një makinë natën e së dielës, një tjetër automjet që udhëtonte me shpejtësi i ka kaluar sipër pasagjerit të plagosur që dergjej në rrugë. Të dy drejtuesit e mjeteve janë larguar pa i dhënë ndihmë të aksidentuarve.

Ngjarja e rëndë automobilistike ndodhi në aksin rrugor Manëz – Sukth, te Kthesa e Ariut, në fshatin Vardardhë. Një automjet tip Golf me targa AA 388 RN dhe drejtues 23-vjeçarin A.H ka aksidentuar motorristin Xh.R. 43 vjeç. Pas përplasjes drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i ngjarjes, duke i lënë të dy të dëmtuarit të shtrirë në rrugë.

Dhjetë sekonda më pas po në të njëjtin drejtim ka lëvizur me shpejtësi dhe një mjet tip Kady me targa AA 552 MM, i drejtuar nga një 66-vjeçar me inicialet H.H. Mjeti i dytë ka përplasur pasagjerin e motorit shtetasin N.M. rreth 40 vjeç, dhe më pas është larguar edhe ai nga vendi i ngjarjes.

Pas aksidentit, drejtuesi i motorit u dërgua në spitalin e Durrësit ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa pasagjeri nuk mundi t’i shpëtonte plagëve të marra. Përmes një pune intensive gjatë natës së kaluar, policia rrugore e Durrësit mundi të identifikojë dy mjetet dhe të ndalojë dy drejtuesit e mjeteve që larguan nga vendi i ngjarjes.

DVP Durrës

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një aksident në aksin rrugor “Sukth-Manzë”, si pasojë e të cilit humbi jetën shtetasi M. N. (pasagjer në një motomjet), ju bëjmë me dije se:

Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Durrës kapën dhe arrestuan shtetasit A. H., 24 vjeç, banues në Sukth, H. H., 66 vjeç, banues në Sukth i Ri dhe Gj. R., 43 vjeç, banues në Kullë, Durrës. Rreth orës 20:45, në aksin rugor “Sukth – Manëz”, automjeti me drejtues shtetasin A. H., është përplasur me motomjetin pa targa, me drejtues shtetasin Gj. R. dhe me pasagjer shtetasin M. N. Nga kjo përplasje, ka rënë nga motomjeti, në rrugë, shtetasi M. N., ndërsa 24-vjeçari është larguar nga vendi i aksidentit. Shtetasi M. N., është goditur edhe nga automjeti me drejtues shtetasin H. H., i cili gjithashtu është larguar nga vendi i aksidentit. Si pasojë, shtetasi M. N. ka humbur jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e një shtetasi, dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat