Durrësi ka përkujtuar sot në 114-vjetorin e ngritjes së flamurit, edhe viktimat e tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019.
Në ceremoninë e rastit, flamuri kuqezi u ngrit në nderim të atdhetarëve që kontribuuan në këtë akt historik.
Më 26 nëntor 1912, Hafiz Ali Podgorica, kryetari i parë i Bashkisë së Durrësit, së bashku me patriotë të tjerë, ngriti flamurin shqiptar, duke e bërë qytetin port një ndër qendrat e rëndësishme të lëvizjes kombëtare në ditët e Pavarësisë.
26 nëntori është dhe një ditë e rëndë për qytetin bregdetar. 7 vjet më parë, në të njëjtën datë, Durrësi u godit rëndë nga tërmeti tragjik i vitit 2019, që la pas viktima, të plagosur dhe dëme të shumta materiale.
Në fjalën e saj kryetarja e bashkisë Emiriana Sako solli në vëmendje me nderim bashkëqytetarët që humbën jetën në atë tragjedi, si dhe shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që u solidarizuan dhe ndihmuan qytetin në ditët e tij më të vështira.
Emiriana Sako e cilësoi këtë datë si një ditë kujtese dhe reflektimi, por edhe si një motivim për të ardhmen e vendit, duke nënvizuar synimin e Shqipërisë për anëtarësimin në BE.