Aktori i njohur Brad Pitt dhe ish-bashkëshortja e tij, Angelina Jolie, kanë publikuar një deklaratë të përbashkët, duke njoftuar përfundimin e betejës katërvjeçare ligjore lidhur me kantinën e verës në Francë, me vlerë rreth 125 milionë paund (164 milionë dollarë), të cilën dikur e zotëronin së bashku.
Në një veprim të rrallë, ish-çifti ka bërë të ditur se ka arritur një marrëveshje jashtë gjykatës, duke shmangur kështu një përballje tjetër ligjore që pritej të zhvillohej vitin e ardhshëm.
Bëhet fjalë për pronën Chateau Miraval, një kompleks prej rreth 1.200 hektarësh, të cilin çifti e bleu në vitin 2011. Prona ishte bërë shkak i një konflikti të gjatë financiar mes dy ish-bashkëshortëve, gjatë të cilit dolën në publik edhe detaje të pakëndshme nga marrëdhënia e tyre, shkruan The Sun, transmeton "Bota sot".
Në deklaratën e përbashkët thuhet: “Kemi arritur një marrëveshje jashtë gjykatës, në interesin më të mirë të familjes sonë dhe nuk do të bëjmë komente të tjera. Çdo koment në artikujt mediatikë, që u atribuohet burimeve, në të vërtetë nuk vjen nga asnjëri prej nesh dhe as nga persona të afërt me ne”.
Jolie, 51 vjeçe, e shiti pjesën e saj në pronë në vitin 2021 te Yuri Shefler, pronari miliarder i grupit Stoli, për rreth 49 milionë paund (64 milionë dollarë), pasi nuk arriti marrëveshje me Pittin për blerjen e aksioneve të saj. Megjithatë, aktori raportohet se vazhdon të jetë i përfshirë në një betejë ligjore me grupin Stoli lidhur me këtë marrëveshje.
Shitja e pjesës së Jolie-s bëri që Pitt të ngrinte padi në Los Angeles, duke e akuzuar ish-bashkëshorten për shkelje të një marrëveshjeje, sipas së cilës asnjëri prej tyre nuk mund ta shiste pjesën e vet pa pëlqimin e palës tjetër.
Nga ana tjetër, Jolie iu kundërpërgjigj me një padi, duke pretenduar se negociatat kishin dështuar për shkak të një marrëveshjeje konfidencialiteti (NDA), me vlerë të propozuar prej 6.8 milionë paundësh, që Pitt kishte kërkuar prej saj.
Sipas pretendimeve të Jolie-s, kjo marrëveshje synonte ta pengonte atë të fliste për një incident të pretenduar të dhunës fizike ndaj saj dhe fëmijëve të tyre gjatë një fluturimi në vitin 2016. Pitt i ka mohuar gjithmonë me forcë këto akuza.
FBI-ja nuk ngriti akuza ndaj aktorit, ndërsa Departamenti i Shërbimeve për Fëmijë dhe Familje në Los Angeles e mbylli hetimin pa konstatuar raste abuzimi.
Pas këtyre zhvillimeve, Pitt hoqi dorë nga alkooli për shtatë vjet, nisi terapinë dhe mori pjesë në takimet e organizatës “Alcoholics Anonymous”. Në këtë periudhë, ai u mbështet edhe te miqtë e tij dhe te ish-bashkëshortja Jennifer Aniston.
Megjithatë, aktori zbuloi së fundmi se e ka ndërprerë periudhën e abstinencës dhe ka rifilluar konsumimin e alkoolit.
Divorci i gjatë mes Pitt dhe aktores së njohur nga filmi “Maleficent” u finalizua vetëm në dhjetor të vitit 2024, pas tetë vjetësh.
Në atë kohë, përfaqësuesi i Jolie-s deklaroi se procesi e kishte lënë aktoren të rraskapitur emocionalisht.
Gjashtë fëmijët e çiftit kanë mbajtur anën e nënës gjatë ndarjes së vështirë. Katër prej tyre, Shiloh, Maddox, Zahara dhe Vivienne, kanë hequr mbiemrin e të atit.
Ndërkohë, Pitt nuk ka komentuar zhvillimet e fundit, por duket se po kalon një periudhë të mirë në jetën personale, pasi ka nisur një lidhje me stilisten e bizhuterive Ines de Ramon.
Aktori u përfol për herë të parë për një lidhje me 33-vjeçaren në fund të vitit 2022, kur të dy u panë së bashku në një koncert.
Në shkurt të vitit 2024, Ines ishte zhvendosur në rezidencën e aktorit në Kaliforni dhe, sipas raportimeve të mediave, çifti ishte më i lumtur se kurrë.